Vendimin në lidhje me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESKO, Maqedonia do ta sjell në bazë të interesit të Kosovës, të Serbisë, por edhe në pajtim të interesave personale, që i përfshin edhe interesat e pjesëtarëve të komunitetit shqiptar. Këtë e porosit ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov në konferencën e përbashkët për shtyp sot në Shkup me kolegun e tij të Kosovës, Behgjet Pacolli, përcjell Fol.

”Maqedonia këtë çështje e trajton me vëmendje të jashtëzakonshme, sepse bëhet fjalë për çështje që i ndan dy fqinjët tanë, të cilët duam të jenë në anën e njëjtë. Ne nuk do të kemi rol kyç në atë proces dhe pasi do të vijë në rend dite do t’i kemi parasysh interesin e miqve tanë nga Kosova, interesin e miqve tanë nga Serbia dhe do të sjellim vendim në pajtim me interesat e RM-së, që i përfshijnë edhe interesat e bashkëqytetarëve tanë, të cilët janë pjesëtarë të komunitetit shqiptar”, theksoi Dimitrov.

Pacolli nga ana e tij theksoi se anëtarësimi i Maqedonisë në organizatat ndërkombëtare, e rrit edhe cilësinë e jetës së qytetarëve në Kosovë dhe përmendi se ky proces shkon edhe në drejtim të anasjelltë.

”E mbështesim Maqedoninë dhe e presim mbështetjen e saj. Ne jemi dy vende fqinje dhe fqinji nuk zgjidhet. Fati ynë është të bashkëpunojmë”, shtoi ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës. /Fol