Tetova e cila ditëve të fundit udhëheq me rastet aktive të të infektuarve me virusin korona, ka 25 klasterë. Burimet e infeksioni janë të përqendruar kryesisht në qytet, në pesë apo gjashtë lagje të cilat nuk bëhen publike nga asnjë institucion, por që dezinfektohen më së shpeshti, thonë nga Njësiti kundër zjarrit, që është i angazhuar për pastrimin e lagjeve.

Në vende të detektuara ku ka paraqitje të pandemisë apo virusit korona, shkojmë në ato lagje por edhe banorët na thirrin dhe ne e kryejmë edhe atë punë, bëjmë dezinfektimin e atyre rrugëve dhe rrugicave -tha Uka Aliti, Komandant i NJTKZ-Tetovë.

Afërsisht sa janë ato vende që dezinfektoni?

Po mund t`iu them se më së shpeshti dezinfektojmë katër pesë rrugë në qytetin e Tetovës pra më së shpeshti bëhet dezinfektimi i tyre por edhe objekteve të tyre në brendi e bëjmë dezinfektimin -u shpreh Uka Aliti, Komandant i NJTKZ-Tetovë.

Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik komuna me më shumë raste dhe viktima është Bogovina, me 47 të prekur dhe 6 viktima nga COVID 19, e dyta është Bërvenica, pastaj Tearca, Zhelina dhe Jegunoci.

Instituti i Shëndetit Publik

“Komuna e Bogovinës, 47 të infektuar – 6 viktima
Komuna e Bërvenicës, 13 të infektuar – 1 viktimë
Komuna e Tearcës, 12 të infektuar
Komuna e Zhelinës 6 të infektuar – 2 viktima
Komuna e Jegunocit 4 të infektuar”

Si burime më të mëdha të infeksionet llogariten grumbullimet e më shumë qytetarëve në një vend pa respektuar masën e ruajtjes së distancës dhe mbajtjes së maskës. Turma më të mëdha vërehen përpara postave, bankave, tregjeve e marketeve./Alsat-M