Kryeministri Zoran Zaev po synon që të bashkojë të dy grupet e BESËS, duke i futur në Qeveri. Por siç mësohet nga burime brenda qeveritare, vendimi i djeshëm i gjykatës që shpallë Bilall Kasamin si kryetar të Lëvizjes BESA ka determinuar paksa procesin e bisedimeve me krahun e Afrim Gashit, që tashmë kanë ngelur një strukturë politike pa subjekt politik, informon INA.

Në koluaret partiake flitet se vendimi gjyqësor dhe zhvillimet që po ndodhin janë për të ulur pazarin dhe pozicionimin e grupeve në Qeveri. Por, Zaevi dy ditë më parë tha se shpreson se do ti bashkojë të dy grupet e Lëvizjes BESA.

“Duhet ta përmbyllim këtë lloj bashkëpunimi, pastaj do të bisedojmë edhe me parti të tjera politike, parasëgjithash mendoj për BESA-n dhe atë të dy grupet. Shpresoj se do të ketë diçka që do t’i bashkojë si një grup. Shoh që deputetët po bashkëpunojnë dhe besojnë në këtë koncept që është orientuar nga qeveria dhe më pas do të bisedojmë edhe me partitë e tjera opozitare dhe deputetë që ende janë në opozitë”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.

Sipas Zaevit, ka deputetë dhe parti politike që janë në opozitë, por nuk pajtohen me partinë më të madhe opozitare dhe kjo ka qenë arsyeja për të biseduar me të gjithë. Për zgjerimin e koalicionit qeverisës, Zaev dje bisedoi edhe me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.(INA)