Avokati Mefail Arsllani ka konfirmuar se Rufki Dogani nga Grupi i Kumanovës e ka djegur qelinë e tij në burgun e Shutkës. “Unë jam në pushim, sapo lexova për rastin tim e kontaktova kolegun tim që është në Shkup. Ai e ka vizituar Rufki Doganin në burg. Është e saktë se e ka djegur qelinë. Fatmirësisht nuk ka marrë lëndime edhe pse fillimisht është menduar se ka marrë edhe lëndime”, deklaroi avokati Arsllani për Gazetën Lajm, duke konfirmuar këtë lajm që më herët e demantuan nga policia dhe autoritetet e burgut.

Mirëpo Arsllani thotë se prej të burgosurve tjerë ka kuptuar se këtë hap Dogani e ka marrë në shenjë revolte nga maltretimi që po i bëhet.

“Rufki Doganin e maltertuan fizikisht pasi edhe pse ka kërkuar ndihmë nga mjeku, ndihma nuk i është ofruar. Këtë e ka bërë në shenjë proteste. Rufkia prap po maltretohet fizikisht. Nuk ka as ndihmë mjekësore, e as nga shqipfolsat në pushtet”, thotë avokati Arsllani, duke cituar fjalët e të burgosurve që e kanë informuar lidhur me rastin.