Në vitin 2014, rastet MTPT 1 dhe MTPT 2 u bashkuan me vendim të gjyqtares së atëhershme, kështu duke ndritur një aktakuzë e cila u quajt aktakuzë e konsoliduar. Sot, të pafajshëm, por për 5 vite të akuzuar se kanë bërë korrupsion dhe krim të organizuar me shuma marramendëse, Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka, iu gëzuan sot vendimit të Gjykatës. Pikërisht, sikur qytetarët që iu gëzuan të “Premtes së Zezë”, duke përfituar nga çmimet e lira në dyqane.

Ka përfunduar procesi maratonik gjyqësor ndaj ish-ministrit të Transportit, sot zëvendëskryeministër i Kosovës, Fatmir Limaj dhe të akuzuarve të tjerë për vepra penale që lidhen me korrupsionin. Prokuroria Speciale, aktakuzën e konsoliduar e ngriti në shtator të 2015’ës. Aktakuza e rastit “MTPT 1” u ngrit në dhjetor të 2012’ës, ndërkaq e dyta “MTPT 2”, në shkurt të 2014’ës. Tre muaj më vonë, kryetarja e atëhershme e trupit gjykues kishte marrë vendim që t’i bashkojë të dyja rastet nga ku u krijua aktakuza e konsoliduar.

Të pranishëm pothuajse qindra persona brenda dhe jashtë sallës ku u mbajt seanca e fundit për këtë rast gjyqësor, brohoritën “Çeliku” kur gjyqtarja, Marie Tuma, filloi ta lexojë aktgjykimin. Ky aktgjykim i shkallës së parë, e bëri Fatmir Limajn bashkë me katër të akuzuarit e tjerë totalisht të pafajshëm për veprat penale që lidhen me korrupsionin.

Avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Kharim Khan, pas përfundimit të seancës foli para gazetarëve i gëzuar me vendimin e Gjykatës Themelore për klientin e tij.

“Sot e vërteta u tha. Çdo i akuzuar u gjet i pafajshëm në secilën pikë të akuzës. Arsyeja se pse unë besoj në ligj është se në shumicën e rasteve, pavarësisht politikës apo ndonjë motivi tjetër, është shumë e vështirë të fshehësh një gënjeshtër në sallë të gjykatës”, tha Khan.

Aktakuza e Prokurorisë e akuzonte Fatmir Limajn për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës zyrtare, marrje ryshfeti si dhe deklarimi i parave të pranuara në fushatë.

Në pikën e parë të aktakuzës thuhej se katër të akuzuarit, Fatmir Limaj, Nexhat Krasniqi, Endrit Shala dhe Shpëtim Telaku kanë bërë krim të organizuar. Kjo pikë u hodh poshtë sot nga trupi gjykues.

Në pikën e dytë të aktakuzës, katër të akuzuarit, Limaj, Shala, Krasniqi dhe Telaku, e cila i akuzonte për keqpërdorim të detyrës zyrtare, gjithashtu u hodh poshtë nga trupi gjykues.

“Nuk është provuar se të akuzuarit… kanë keqpërdorur detyrën zyrtare për dhënien e tenderëve për kompaninë “Tali” dhe “Interevropa””, ka thënë gjyqtarja Marie Tuma.

Pika tre e aktakuzës së prokurorit, Charles Hardaway ka të bëjë me marrje ryshfeti, ku Limaj bashkë me të tjerët u shpall i pafajshëm për këtë vepër penale, pasi siç tha gjyqtarja nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer këtë vepër, shkruan Gazeta Express.

Pika e 4 e aktakuzës së Prokurorisë kundër Florim Zukës për dhënie të ryshfetit është refuzuar, pasi që, siç tha gjyqtarja ishte e parashkruar. Zuka edhe në pikën e pestë të aktakuzës u lirua nga akuzat për keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Në pikën 6 të saj, Fatmir Limaj ku u akuzua për mos deklarim të parave të pranuara në fushatë, u lirua nga akuza pasi që, siç tha gjyqtarja, vepra është e parashkruar.

Në seancën e parafundit të këtij rasti, Limaj pati thënë fjalën e tij përfundimtare lidhur me akuzat të cilat po e rëndojnë atë nga viti 2012.

“Ky proces i ngjan shumë romanit të famshëm Fanc Kafka”. Kështu pati thënë në fjalën përfundimtare Fatmir Limaj në seancën e parafundit të këtij rasti.

Në fjalën përfundimtare patën folur edhe të akuzuarit tjerë, sot të pafajshëm, Endrit Shala, Nexhat Krasniqi, Florim Zuka dhe Shpëtim Telaku. Ata patën thënë se Prokuroria nuk ka argumentuar me asnjë provë me të cilën do ta vërtetonte se kanë kryer vepër penale. Por, kështu doli të jetë sot në gjykimin e fundit për këta pesë të akuzuar.

Gjykata e shkallës së parë të premten ka marrë vendim se gjashtë pikat e aktakuzës së Prokurorisë nuk argumentojnë asnjë provë me të cilën do ta vërtetonte se këta pesë të akuzuar kanë kryer vepër penale.

“Nuk ka marrë as 80 cent ryshfet e lerë më 80 milionë euro”, pati thënë avokati i Limajt në seancën e parafundit.

Nga viti 2015 filluan të mbaheshin seancat gjyqësore për këtë rast. Për këto dy vite janë mbajtur shumë sosh dhe me shumë dëshmitarë. Në mesin e dëshmitarëve ishin, Adem Grabovci, Bajrush Xhemajli, Adem Salihaj, Hasan Preteni dhe shumë të tjerë.

Adem Grabovci, i cili ka qenë zëvendësministër gjatë kohës kur Limaj ka qenë ministër i MTPT-së, e pati dhënë dëshminë e tij në mars të 2017’ës. Atë ditë, prokurori i kishte lëxuar atij disa SMS të cilët kishin të bënin me shtrimin e rrugëve me asfalt. Grabovci, pati thënë se nuk mbanë përgjegjësi se kush dërgon SMS në numrin e tij, derisa ka thënë se numri i tij i telefonit ka qenë publik.

Në shtator të 2017’ës kishin dhënë dëshminë e tyre edhe Bajrush Xhemajli dhe Adem Salihaj. Ky i fundit pati thënë se nuk ka informacione nëse në vitin 2008, ka pasur keqpërdorime me tenderë në Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomunikacionit, aty ku Limaj ishte ministër.

Në seancën e 16 nëntorit, zëvendëskryeministri Fatmir Limaj kishte propozuar për dëshmitarë edhe ish-gjykatësin e EULEX, Malcom Simmons, për shkak se thoshte se për fatin e tij duhet të vendosin faktet e jo politika.

Kujtojmë se Simmons po atë ditë pati thënë se misioni i EULEX’it nuk është mision për të promovuar sundimin e ligjit, por është milion politik. Mirëpo, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte refuzuar kërkesën e Limajt që Simmons të ftohet si dëshmitar në gjykimin ndaj tij dhe të tjerëve.