Organizata joqeveritare për mbrojtjen e mjedisit “EcoGuerilla” e cilëson si joligjore kërkesën e drejtuesve të Jugohromit për hapjen e fabrikës pa vendosjen e filtrave. Nga kjo organizatë këmbëngulin se kombinati metalurgjik mund të fillojë me punë vetëm pasi t’i përmbushë standardet ekologjike dhe t’i vendosë filtrat. Ndërkaq, për fatin e rreth 700 punëtorëve sipas EcoGuerillës duhet të kujdeset qeveria.

“Ne jemi të gatshëm të shohim një Jugohrom të hapur që nesër por me filtra, pa filtra është e papranueshme…Ajo si fillim duhet të gjobis kombinatin për mosrespektimin e afateve për shkelje të ligjit dhe në të njëjtën kohë duhet të sigurohet që qytetarët apo punëtorët që punojnë në kombinat të kompensohen dhe të ndihmohen nga shteti”, deklaroi Arianit Xhaferi, Eco Guerilla.

EcoGuerilla publikoi edhe të dhënat e fundit nga matjet zyrtare dhe analizat e dikasterit të Ekologjisë gjatë pesë viteve të fundit, të cilat tregojnë se në periudhat kur nuk ka funksionuar Jugohromi, ndotja në rajonin e Pollogut ka rezultuar madje 50 % më e ulët.

“Dallimi më i madh është vërejtur në Tetovë ku ndotja në nivel vjetor nga mesatarja e rreth 140 apo 50 mikrogramësh ka rënë për herë të parë në 97.  Rënie e ndotjes është vërejtur edhe në Kërçovë ku termocentrali i Osllomesë ka punuar vetëm 40 ditë gjatë vitit 2016 – tha Xhaferi.

Nga Ecoguerilla kërcënuan me aktivizim të protestave nëse rast se ndryshon vendimi për ndalesën e funksionimit të Jugohromit pa vendosjen e filtrave.