Partitë kanë hyrë në fazën e fundit të përzgjedhjes së kandidatëve me të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale të 15 tetorit.

Në disa komuna tanimë kandidatët e disa partive janë thuajse të sigurt, ndërsa në shumë komuna partitë kanë ende problem në përzgjedhjen e kandidatëve. Edhe në këto zgjedhje situata më e tensionuar duket në BDI. Nga kjo parti deri më tani kanë zgjedhur vetëm kandidatin për Komunën e Kërçovës ku në garë mbetet kryetari aktual Fatmir Dehari.

Në Komunën e Çairit asnjë nga emrat e shumë përfolur nëpër media duket që nuk do të merr përsipër garën komunale dhe kjo detyrë gjithnjë e më shumë i mbetet zëvendës ministrit të ri të arsimit, Visar Ganiu. Nga nënkryetarët e kësaj partie duket që vetëm dy kanë hequr dorë nga komunat që kanë udhëhequr deri më tani, Izet Mexhiti dhe Sadulla Duraku i cili u zgjodh ministër i ambientit.

Ndërkaq, dy nënkryetarët e tjerë të kësaj partie, Teuta Arifi dhe Nevzat Bejta edhe publikisht kanë deklaruar se kanë pretendime për të garuar edhe për një mandat të ri, ndërsa nëpër rrjetet sociale ka filluar edhe mbështetja për ta.

Por në Tetovë siç mësohet jozyrtarisht, Arifi ka përballë shumë kundërkandidatë të cilët janë me gjasa thuajse të barabarta për të marë nominimin e partisë. Partitë e tjera shqiptare duket që këtë detyrë ua kanë lënë strukturave partiake dhe degëve lokale ku do të përzgjidhen për çdo komunë kandidatët adekuat. Në bllokun politik maqedonas vëmendja kryesore do të përqëndrohet në kryeqytet, gjegjësisht në garën për Qytetin e Shkupit. VMRO-DPMNE pritet të rikandidojë kryetarin aktual Koce Trajanovskin, ndërsa LSDM ende nuk ka vendosur për një emër konkret.

Edhe nga kjo parti janë përmendur shumë emra ndërsa në mesin e tyre është përmendur edhe emri i zëdhënësit dhe deputetit të kësaj partie, Petre Shilegov.Partive ju kanë ngelur vetëm edhe 15 ditë për të përzgjedhur kandidatët për këshilltarë dhe kryetarë komunash dhe për të dorëzuar listat në KSHZ më së voni deri më 9 shtator. Afati për dorëzimin e emrave të kandidatëve ka filluar të rjedh nga 21 gushti. Më 1 shtator tërhiqet shorti për caktimin e listës së vetme të kandidatëve për këshilltarë dhe listës për kryetarë të komunave. Më 25 shtator fillon zyrtarisht fushata parazgjedhore për rrethin e parë e cila do të përmbyllet dy ditë para zgjedhjeve të 15 tetorit, ndërsa më 14 tetor do të jetë heshtje parazgjedhore. Fushata për rrethin e dytë do të fillojë pas votimit të rrethit të parë dhe do të përmbyllet më 27 tetor. Votimi për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale do të mbahet më 29 tetor./Shenja/