Edhe pas apelimeve të institucioneve që të mos udhëtohet jashtë vendit, 1331 qytetarët nga Maqedonia megjithatë lëshuan vendin. Këtë e bëri të ditur ministri për Punë të Jashtme, Nikolla Dimitrov, i cili paralajmëron se gjendje është alarmante gjithkund.

“Shtetet po mbyllin kufijtë, po mbyllen aeroportet, po ndryshojnë regjimet kufitare, po ndalohet hyrja e shtetasve të huaj, po ndryshojnë rregullat për disa orë”, thotë Dimitrov, njofton Telegrafi Maqedoni.

Dimitrov shton se kemi qytetarë të Maqedonisë në aeroporte të ndryshme me fluturime të anuluara për shkak se vendi përkatës ka vendosur të pranojë shtetas të vet dhe jo të huaj por edhe njerëz me automjete në kolona në Slloveni, Austri dhe Kroaci.

“Lëshojmë nota diplomatike me të dhëna personale të qytetarëve tanë në bazë të bisedimeve përmes telefonit me shtabin e krizës në MPJ. Disa kërkesa konsullore arrijnë t’ia dalin, disa jo. Ne kemi kontroll vetëm në kufijtë e Maqedonisë. Ne nuk i kontrollojmë kufijtë e shteteve tjera”, thotë Dimitrov i cili shton se në këtë krizë globale, MPJ nuk garanton se mund të ktheheni në shtëpi atëherë kur keni planifikuar për shkak se ndryshon gjendja nga dita në ditë.