Urim HASIPI

Brenda disa muajve duhet që të përfundojë faza e parë e objektit të ri të Bibliotekës dhe Teatrit në Tetovës.Këtë e kanë bërë të ditur nga Qendra për Kulturë në Tetovë, prej nga thonë se janë duke u bërë përgatitje për fillimin e fazës së dytë të ndërtimit të objektit.“Brenda disa muajve shpresojmë që të përfundojë faza e parë e ndërtimit të objektit në bazë të parashkimeve dhe dinamikës së punëve që janë duke u kryer.
Ne kemi bërë edhe hapat e nevojshëm për fillim të fazës së dytë që përfshinë enterierin e brendshëm.Sipas dinamkës së paraparë dhe asaj që e kërkon qeveria diku do të duhet që brenda tre vitesh të përfundojë krejt objekti”, deklaroi Artan Arslani, ushtrues detyre drejtor në qendrën për kulturë në Tetovë.
Në ndërkohë ministri i Kulturës Asaf Ademi, në një prononcim për gazetarët është shprehur se për përfunimin e fazës së parë të këtij projekti janë paraparë 100 milionë denarë që më pas të fillohet me fazën e dytë, që është edhe faza përfundimtare.“Për përfundimin e fazës së parë janë paraparë 100 milion denarë, dhe pas përfundimit të fazës së parë do të duhet të hapet tender për fazën e dytë.Është një informatë e gabuar se objekti i ri të Bibliotekës dhe Teatrit në Tetovës se shumë shpejt do të lëshohet në përdorim.Marrëveshja që është bërë para shumë vitesh ka qenë vetëm për fazën e parë apo karabina të objektit dhe fasadës, aspak nuk bisedohet për instalimet e brendëshme pra do të duhet kohë derisa të përfundojë objekti”,ka deklaruar kohë më parë Ministri I Kulturës Asaf Ademi.
Objekti i Teatrit dhe Bibliotekës së Tetovës shtrihet në një hapësirë prej 30 mijë m2, ndërkaq në gurthemelin e objektit në vitin 2014 u premtua se i njëjti do të përfundojë në fund të vitit 2017 por deri më tani ende nuk është nuk është përfunduar faza e parë.Përderisa qytetarët, artistët, aktorët, lexuesit dhe organizata të shumta presin që të përfundojë objekti I ri, aktivitetine tyre e ushtrojnë në objektin e vjetër apo ekzistues. Në ndërkohë, në objektin e vjetër të qendrës për kulturë vazhdojnë të mbahen shumë manifestime, kongrese të partive politike, jepen shfaqje nga Teatri i Tetovës i cili është i vendosur në këtë objekt dhe shumë organizime të tjera.
Përndryshe, për çdo vit në ambientet e këtij institucioni të kulturës aktivitetin e tyre e zhvillojnë dhjetëra artistë të degëve të ndryshme si aktorë, muzikantë, këngëtarë e valltarë. Vetëm në sallën e madhe organizohen çdo vit mbi 130 aktivitete të vizituara nga mbi 50.000 shikues.
për organizimin e aktiviteteve muzikore-skenike, kjo qendër disponon me sallën e madhe që ka 661 ulëse dhe sallë të vogël për koncerte kamertale dhe promovime me 100 ulëse.
Ndryshe, Qendra e Kulturës, “Ilo Anteski-Smok” në Tetovë është ndërtuar në vitin 1973, ndërsa administrata filloi të punojë zyrtarisht në vitin 1975. Ky objekt ka hapësirë prej 6.500 metra katrorë, nga e cila 672 metra katrorë janë pjesa e skenës.