16 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit TV21 bën analizë mbi atë se në vitet e kaluara a është respektuar barazia ekonomike ? Cilat projekte nga sfera e zhvillimit rajonal janë realizuar, dhe për cilat projekte ende pritet që të realizohen. Biznesmeni Fatmir Bitiqi mendon se edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes, në Maqedoni ekziston pabarazi e madhe në sferën ekonomike. Dallimet janë të mëdha në rajonet ku shumica e banorëve janë Shqiptare në krahasim me komunat në të cilat jetojnë qytetarët Maqedonas. Ky dallim vërehet në numrin e të punësuarve, në investimet kapitale, investimet në zhvillimin rajonal etj, u shpreh ai.

“Mendoj se projektet ekonomike në të kaluarën vetëm në mënyrë teorike janë ndarë në bazë të marrëveshjes së Ohrit, ndërsa në praktik kjo gjë në shumicën e rasteve është bërë sipas interesave partiake dhe personale dhe jo për të mirën e ekonomisë, qytetarëve dhe zhvillimit ekonomik.  Për atë shkak tani brenda këtyre 10 viteve e kemi këtë ngërç në zhvillimin ekonomik”, tha Fatmir Bitiqi.

Një nga hapat më kontrovers për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit janë të ashtuquajturat “punësimet e Marrëveshjes së Ohrit” në pushtetin lokal dhe qendror. Në administratën publike mbi 1700 persona kryesisht Shqiptare me vite të tëra qëndrojnë në shtëpi ndërsa janë në listën e pagesave nga ana e shtetit.  Përveq se paraqesin ngarkesë për buxhetin shtetëror, e risin revoltin tek ata të cilët me vite të tëra kërkojnë punë thonë analistët :

“Ne ende kemi nëpunës administrativ të cilët qëndrojnë në shtëpi dhe marrin rrogë, nuk janë të vendosur nëpër vende të punës, ndërsa shpallen konkurse për punësime të reja. Me të vërtetë kemi një problem të madh me administratën publike”, tha Argëtim Saliu, profesor universitar.

Ministri i Administratës, Damjan Mançevski bind se kjo përbërje qeveritare 16 vite pas nënshkrimit të Marrëveshjes, angazhohet për zbatimin e tërësishëm të saj:

“Një numër të madh të detyrave tani më jemi duke i përfunduar, ndërsa në periudhën në vazhdim do të prononcohemi edhe në lidhje me çështjet e tjera, por me të vërtetë mendoj se po punojmë në mënyrë aktive që të respektohet tërësisht Marrëveshja e Ohrit”, u shpreh Damjan Mançevski, Ministër për Shoqëri Informatike dhe Administrative.

Çdo vit pa përjashtim politikanët e bllokut shqiptar nuk pajtohen me projektet e buxhetit shtetëror dhe me shpërndarjen e të hollave për projekte, prej të cilave dobi do të kenë vetëm bashkësitë lokale me shumicë të banorëve maqedonas. Ndërkaq blloku  politik Maqedonas, vazhdimisht del me argumente kundërshtuese se projektet kapitale të cilat ndërtohen në vend nuk ndahen në bazë etnike