Një pjesë e funksionarëve të qeverisë pas Festave të Kërshëndellave nuk do të kthehen në kolltuqet e tyre, raporton Tv24.

Burime në LSDM kanë thënë se atëherë do të bëhet rikonstruimi i qeverisë, që ishte paralajmëruar deri në fund të muajit mars. Edhe pse ende nuk dihen emrat e ministrave që do të “fluturojnë” nga qeveria, përfliten emrat e pesë ministrave që mbeten të paprekshëm. Përveç kryeministrit Zaev, nga radhët e LSDM-së që tani postin ministror e ruajnë sigurt edhe ministri i jashtëm Nikolla Dimitrov, ministri i brendshëm, Oliver Spasovski si dhe ministrja e mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, transmeton Gazeta Lajm.

Puna e ministrave tjerë ende është duke u shqyrtuar edhe pse rikonstruimi mund të përfshijë maksimum 3 ministra të LSDM-së. Poashtu fati i ministrave varet edhe nga ajo se me cila parti do të zgjerohet qeveria e Zaevit, respektivisht cilat poste do të duhet eventualisht t’i lirojë LSDM-ja.

Gazeta Lajm merr vesh ekskluzivisht nga burime partiake se nga radhët e BDI-së si të sigurt për momentin konsiderohen zv/kryeministrat Hazbi Lika dhe Bujar Osmani edhe pse si “kandidat” i vetëm eventual për rokonstruim pas dorëheqjes së Bilent Salijit përmendet Kreshnik Bekteshi.