Intonimi i himnit shqiptar nga ana e deputetit Zeqirja Ibrahimi më 27 prill të vitit të kaluar, ka shkaktuar panik të madh te qarqet konservative akademike maqedonase, shkruan agjencia ndërkombëtare e lajmeve në gjuhën shqipe, “Lexo”.

Anëtar i akademisë maqedonase, i cili është me prejardhje shqiptaro-ortodokse, por që nuk guxon ta zbulojë identitetin e tij nga frika se do t’i hakmerret “MANU”, ka thënë për këtë agjenci, se sapo është intonuar himni nga deputeti Ibrahimi, akademikët maqedonas menjëherë kanë thirrë një takim joformal, për të ndërtuar strategji për devalvim të këtij akti.

Në një vjetorin e ngjarjeve të 27 prillit, akademiku shqiptaro-ortodoks tregon se takimi i akademikëve është mbajtur në një banesë afërt Tregut të Gjelbër në qendër të Shkupit, e jo në godinën e Akademisë. Qëllimi ka qenë që ai të mbahet fshehtas prej anëtarëve shqiptarë të Akademisë, Luan Starova, Alajdin Abazi, Abdylmenaf Bexheti dhe Izet Zeqiri.

“U paraqit frika se intonimi i himnit shqiptar do të bëhet praktikë e vazhdueshme në Parlamentin e Maqedonisë, që do të përcillet edhe nga deputetët tjerë shqiptarë. Për 30 minuta arritëm të mblidhemi diku dy të tretat e anëtarëve të Akademisë. Disa nuk erdhën, sepse në atë moment nuk ishin në Shkup, e disa ishin jashtë vendit. Paniku është ndier edhe te akademitë simotra të Akademisë Maqedonase, respektivisht te Akademia Serbe, Bullgare dhe Greke, të cilat ishin në alarm, sepse intonimin e Himnit Shqiptar në Parlamentin e Maqedonisë e konsideronin edhe si rrezik ndaj interesave të tyre. Posaçërisht akademikët serbë bënin presion të hatashëm. Vazhdimisht paraqiteshin nga Beogradi përmes telefonit dhe kërkonin prej nesh të reagojmë sa më shpejtë. Kishte frikë të madhe se 27 prilli do të futet në kalendarin historik të shqiptarëve të Maqedonisë si ditë e Himnit Shqiptar në Parlament. Bënin presion që Akademia maqedonase të kërkojë prej policisë të arrestohet deputeti Zeqirja Ibrahimi dhe bashkëpartiakëve të tij”, sqaron akademiku shqiptaro-ortodoks.

Sipas tij, pas debatit dy orësh, me ndihmën e autorit të Enciklopedisë Bllazhe Ristevski është hartuar një plan ad-hoc. Shtylla e këtij plani ka qenë që ndaj aktit të intonimit të himnit të mos reagojnë subjektet maqedonase, por kundër këtij akti të mobilizohen partitë dhe politikanët shqiptarë që kontrollohen nga shërbimi sekret serb, me qëllim që ta devalvojnë këndimin e himnit shqiptar në Parlament. Atyre iu është dhënë detyra të fillojnë një fushatë kundër deputetit Ibrahimi dhe Lëvizjes Besa, si parti të cilës i takonte ai. Roli kryesor në këtë skenar i është besuar një deputeti shqiptar me nofkën “Luftëtari i Kalasë”, emrin e të cilit nuk e din as bashkëbiseduesi ynë, sepse mbahet ‘top-secret’.

“’Luftëtari i Kalasë’ menjëherë mobilizoi të gjitha mediumet që kontrollohen nga shërbimi dhe filloi një fushatë të hatashme për nxirjen e Lëvizjes Besa dhe deputetit Ibrahimi. Më pas, nga naiviteti, kësaj fushate iu bashkangjitën edhe shumë politikanë dhe opinionistë shqiptarë që nuk janë bashkëpunëtorë të shërbimit. Misioni i tij u mbështet fuqishëm nga VMRO-DPMNE-ja, por edhe nga qarqe të partive tjera maqedonase. ’Luftëtari i Kalasë’ e realizoi me sukses misionin e besuar, prandaj sot këndimi i himnit shqiptar në Parlament edhe nga një pjesë e opinionit shqiptar perceptohet si diçka negative, e jo si moment historik. Ky gjest nuk u përsërit më nga snjë deputet tjetër shqiptar. Kurse për këtë mision të realizuar me sukses, Akademia i ka premtuar ‘Luftëtarit të Kalasë’ se do ta shpërblejë me poste të larta dhe me jetëgjatësi në politikë, pa marrë parasysh se nuk e duan as votuesit e lagjes së vet”, sqaron akademiku me prejardhje shqiptaro-ortodokse.

Sipas tij, në mesin e akademikëve maqedonas ka mbretëruar gëzim që në tollovitë e ndodhura në Parlament nuk ka qenë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti dhe që asnjërit prej deputetëve të BDI-së nuk u ka ndodhur diçka e keqe. Kurse për Zijadin Selën kanë komentuar se “e ka gjetur atë që e ka kërkuar”.

“Vetëm dy tre akademikë, prej të gjithëve prezentë, ishin të shqetësuar për shëndetin e Selës. Ata përsëritnin gjatë tërë kohës se nuk ka nevojë për panik aq të madh për shkak të intonimit të himnit shqiptar në Parlament, sepse fundja shqiptarët janë pjesë e pamohueshme e realitetin të Maqedonisë”, përfundon akademiku shqiptaro-ortodoks, duke shpalosur ekskluzivisht për “Lexo” detajet e 27 prillit të vitit të kaluar, shikuar nga prizmi i akademikëve maqedonase.