Kompania shtetërore ELEM do të shpenzoj rreth 8 milionë euro për sigurimin e pasurisë dhe punonjësve.

ELEM do t’i sigurojë kombinatin “TEC Manastiri” dhe kombinatin “TEC Oslomej” për thuajse 5 milionë euro në rast të ndonjë fatkeqësie nga zjarri. Për gjysmë milionë euro, ELEM do të bëj sigurim KASKO për të gjitha automjetet dhe shumën e njëjtë do ta paguaj për sigurim kolektiv të punonjësve. Mes të tjerave, ELEM i siguroi kompjuterët e kompanisë. Biznesin milionësh për sigurimin e pasurisë në ELEM e fituan dy kompani sigurimesh. Kontrata do të vlejë dy vjet, ndërsa një nga kushtet për fitimin e tenderit ka qenë çmimi më i ulët.

ELEM në periudhën e kaluar është në fokus të opinionit. Për kohë të shkurtë, Specialja hapi dy raste në të cilat është përfshirë kjo kompani. Rasti i parë është “Tarifa”. Katica Janeva opinionit i prezantoi rast për të cilin provat tregojnë se shtatë nëpunës të ELEM-it e kanë shpërdorur pozitën gjatë furnizimit dhe implementimit të sistemit të softuerit. Prokuroria Speciale dyshon se të dyshuarit kanë mundësuar që një kompani e cila nuk i ka plotësuar kushtet e tenderit, të kalojë në fazën e dytë edhe përkundër dokumentacionit jo të plotë. Është nënshkruar kontratë në vlerë prej 4 milionë euro. Sistemi nuk është instaluar ndërsa ELEM paguan për mirëmbajtje. Në këtë mënyrë, është shkaktuar dëm prej 450.000 euro.

Para dhjetë ditëve, Prokuroria Speciale në rastin e ri me emrin “Trust” sërish akuzon kompaninë ELEM. Në këtë rast, Specialja dyshon se kompanitë “Transmet”, “Sileks Nemetali” dhe “Vato” me dokumentacion të falsifikuar kanë fituar tenderë për gërmim në kantinë në “TEC Manastiri”, në vlerë prej 17 milionë euro. Ndonëse kanë dorëzuar dokumentacion të falsifikuar, se i plotësojnë të gjitha kushtet, Komisioni për furnizime publike në ELEM ka dhënë dritë jeshile dhe kontratat janë firmosur. Prokuroria Speciale kërkoi masën e paraburgimit për biznesmenin Sead Koçan. Gjykata refuzoi ndërsa ekipi i Janevës dorëzoi ankesë, për të cilën ende nuk ka vendim./Alsat-M