Gjatë qëndrimit të saj në Bruksel, Zëvendësministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut Elfete Ismaili, në shoqërim të Ambasadorit të RMV-së në NATO, Ismail Ebipi, shfrytëzoi mundësinë për të vizituar dy të lënduarit nga Maqedonia e Veriut, të cilët u dërguan për trajtim në Mbretërinë e Belgjikës pas tragjedisë që ndodhi në Koçan.

Të dy të lënduarit po trajtohen në spitalin ushtarak të Brukselit, dhe për fat të mirë, gjendja e tyre shëndetësore është stabile, ndërsa ata ndiheshin mirë gjatë vizitës.

Në këtë rast, zëvendësministrja Ismaili shprehu falënderimet e saj më të sinqerta për stafin e spitalit ushtarak në Bruksel dhe për angazhimin e Qeverisë së Belgjikës, duke theksuar mbështetjen dhe kujdesin e jashtëzakonshëm të ofruar për të lënduarit. Ajo gjithashtu përcolli falënderimet e Ministrit të Shëndetësisë, Arben Taravari dhe të gjithë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për solidaritetin dhe bashkëpunimin e shkëlqyer.

Ky akt i solidaritetit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar thekson rëndësinë e mbështetjes reciproke dhe humanizmit në periudha të vështira, duke u bërë një shembull i frymës së solidaritetit ndërkombëtar.