Pavarësisht emërimeve të fundit të drejtorëve dhe zv. drejtorëve në disa institucione dhe organe shtetërore, disa drejtori dhe poste në ekzekutiv që i takonin Aleancës për Shqiptarët, ende mbeten pa udhëheqës.

Bëhet fjalë për zv.ministrin e Transportit, zv.ministrin e Punës dhe Politikës Sociale dhe sekretarin shtetërorë të Ministrisë së Drejtësisë. Zëdhënësi i Qeverisë Mile Boshnjakovski thotë se për këto vende te zbrazëta në ekzekutiv, po bisedohet mes LSDM-së dhe BDI-së.

“Bëhet fjalë për marrëveshje mes partnerësh të koalicionit. Kuptohet për vendet e lira që janë krijuar. Për momentin ende nuk ka informacione se kur do të plotësohen të njëjtat”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.

Partnerët e koalicionit qeverisës ende nuk bëjnë të ditur nëse këto vende të zbrazëta po ia ruajnë ndonjë partie tjetër opozitare, në rast të ndonjë riformatimi më të gjerë të ekzekutivit.