Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan tha të enjten se do të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm dhe la mënjanë zërat për zgjedhje të parakohshme në vendin e goditur ekonomikisht.

Ishte hera e parë që ai, i cili është në pushtet që nga viti 2003, shpalli zyrtarisht kandidaturën e shumëpritur, raporton abcnews.

“Më lejoni ta them këtu. Tayyip Erdogan është kandidati i Aleancës Popullore”, tha 68-vjeçari në një tubim partiak në qytetin perëndimor të Izmirit, duke iu referuar një aleance midis partisë së tij konservatore në pushtet, AKP-së dhe partisë së krahut të djathtë, MHP-së.

Partia opozitare CHP, e dyta më e madhe në parlament, nuk ka paraqitur ende një kandidat për president.

Ndryshe, ka pasur zëra për zgjedhje të parakohshme në mes të problemeve ekonomike të Turqisë të shkaktuara nga dobësimi i lirës dhe inflacioni prej 73.5 për qind – niveli më i lartë që nga viti 1998.