Ndonëse me doza simbolike, procesi i imunizimit anti kovid filloi në shtetet e Bashkimit Evropian. Pasi mbrëmë nga kompania farmaceutike “Pfizer” u shpërndanë nga një kontingjent prej 9,750 dozash të vaksinave kundër CoVid-19 në vendet e BE-së, në mëngjesin e së dielës nisi vaksinimi. Kryetarja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, tha se imunizimi gjithëpërfshirës i popullsisë së familjes Evropiane është moment emocionues dhe sukses i radhës i përbashkët i BE-së.
“Po hapim një kapitull të rëndësishëm në luftën kundër CoVid-19. Filluam që të gjithë qytetarët të marrim vaksinën ndaj këtij virusi. Bashkimi Evropian ka porositur sasi të mjaftueshme të vaksinave nga Pfizer dhe BioNtech për 450 milion qytetarët tanë dhe në të gjitha shtetet anëtare do të arrijnë sasi dozash në mënyrë sistematike.”-tha Ursula von der Leyen, Kryetare e Komisionit Evropian. 
Në Gjermani vaksinat e para i morën kategoritë e rrezikuara ku në krye të listave janë personat mbi 80 vjeç dhe personeli mjekësor që janë të ekspozuar drejtpërdrejtë ndaj rrezikut nga virusi korona. Ata dhanë vaksina përmes ekipeve mobile. Në mënyrë pothuajse solemne vaksinimi filloi edhe në Francë, Spanjë, Hungari, Sllovaki, Kroaci, Greqi dhe në shtetet tjera. Në Athinë vaksinimi nisi nga shtëpia e të moshuarve dhe infermieret e spitaleve, ku të parët ishin një motër medicinale dhe një 88 vjeçar.
Nga ana tjetër, vendi ynë mbetet të pritje të premtimeve për donacione nga Bullgaria, Greqia, Polonia dhe Austria. Siç paralajmëruan autoritetet shëndetësore, porosia në Shkup mund të arrijnë nga kontingjenti i dytë i vaksinave, gjatë muajit janar. Por, nga Qeveria thonë se përveç donacioneve, blerja e parë është bërë përmes sistemit “Covax” që do të arrijnë në muajin mars.