Një valë e parakohshme dhe intensive e të nxehtit veror ka mbërthyer Evropën Perëndimore, me temperatura që mund të thyejnë rekorde historike për muajin maj në disa vende, raporton Klan.
Nga Portugalia dhe Spanja, deri në Francë dhe Britaninë e Madhe, termometri pritet të kalojë 30 gradë Celsius. Në rajonet jugperëndimore të Spanjës, temperaturat parashikohet të arrijnë deri në 38 gradë, ndërsa qytete si Parisi dhe Londra mund të shënojnë mbi 32 gradë Celsius. Sipas meteorologëve, ky fenomen po shkaktohet nga një e ashtuquajtur “kupolë nxehtësie”, ku ajri i nxehtë nga Maroku nuk mund të largohet për shkak të një anticikonli të fuqishëm. Ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë këto ngjarje ekstreme më të shpeshta dhe më intensive, duke ndodhur përherë e më herët gjatë vitit. Autoritetet britanike kanë lëshuar alarme për shëndetin, ndërsa qytetarëve u është bërë thirrje të kenë kujdes, pas një ngjarjeje tragjike në Spanjë ku një fëmijë humbi jetën si pasojë e temperaturave të larta.
Fenomeni i ngrohjes globale ka bërë që temperaturat të thyejnë rekorde shekullore vitet e fundit, duke shkaktuar edhe zjarre masive kryesisht në jug të Evropës, ndërsa fenomenet ekstreme janë bërë më të shpeshta.

