Bashkimi Evropian ndodhet në një periudhë të sfidave të mëdha dhe askush nuk e di se nga do të shkojë ky union në të ardhmen. Pas dy javësh në Holandë do të votohet në zgjedhjet parlamentare. Dy muaj më vonë në Francë do të votohet në zgjedhjet presidenciale, ndërsa edhe Gjermania në vjeshtë do të votojë. Të tri këto zgjedhje në masë të madhe do të vendosin jo vetëm se në cilin drejtim do të shkojnë këto tri shtete, por edhe për drejtimin që do ta marrë Bashkimi Evropian. Në rast të fitoreve të forcave anti EU, sidomos në Holandë dhe Francë, gjithçka mund të shkojë në kaos në BE, sepse ato forca duan shkatërrimin e Bashkimit Evropian, një qëndrim që shpesh e mbështet edhe presidenti i tashëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.

Dhe në këtë kohë kur BE-ja merret me vetveten dhe me problemet e brendshme, e ka kuptuar se për një kohë tepër të gjatë është lënë anash situata në Ballkanin Perëndimor, duke besuar se kjo zonë në zemër të Evropës i ka tejkaluar konfliktet dhe po ecën drejt pajtimit dhe integrimit në BE- Por është e qartë se situata është e brishtë.

Nuk ka asnjë vend të Ballkanit pa probleme serioze. Në Serbi është duke u ringjallur nacionalizmi dhe duke u rikthyer retorika e dëgjuar nga periudha e luftës e kohës së Milosheviqit. Kosova është e kërcënuar nga Serbia dhe e përballur edhe me konfliktin e hapur politik të brendshëm. Në Bosnjë e Hercegovinë një vendim për të rishikuar padinë për gjenocid ndaj Serbisë ka tensionuar aq shumë skenën politike saqë e ka sjellë vendin në një bllokadë të plotë. Mali i Zi pret anëtarësim në NATO, por përballet edhe me kërcënime të forcave proserbe dhe pororuse. Në Shqipëri opozita proteston dhe përmend edhe fjalën “luftë” për t’iu kundërvënë qeverisë në prag të zgjedhjeve. Në Maqedoni zgjedhjet janë zhvilluar por ato nuk e kanë nxjerrë një rezultat të qartë. Ndaj mundësisë së qeverisë të krijuar nga Socialdemokratët me Partitë Shqiptare tashmë kanë nxitur partinë VMRO që të kërcënojë me protesta, duke u orvatur që krijimin e qeverisë së Maqedonisë ta paraqesë si “diktat nga Shqipëria dhe kryeministri Edi Rama”.

Në tërë këtë situatë është edhe interesimi i rritur i Rusisë dhe i Turqisë për ndikim në këtë rajon dhe zvogëlimi i interesit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas neglizhencës së gjatë që i ka bërë rajonit të Ballkanit Perëndimor, BE-ja e ka kuptuar se situata atje mund të shpërthejë përsëri dhe të dëmtojë sigurinë në tërë Evropën. Prandaj, këtë javë përfaqësuesja e lartë e BE-së, Mogherini, qëndron në Ballkan dhe javën që vjen dhe ministrat e jashtëm edhe shefat e shteteve të BE-së do të diskutojnë për Ballkanin në takimet e tyre në Bruksel. BE-ja e ka kuptuar se rajoni nuk mund të mbetet një hapësirë e zbrazët, sepse do ta mbushin aktorët e tjerë të interesuar ndërkombëtarë e kjo nuk do të ishte në të mirë të BE-së.

Se BE-ja po e kupton që, kushdo të merret me Ballkanin, pasojat do t’i ndiejë ajo. Prandaj edhe nga niveli më i lartë këto ditë pritet të vijnë porositë që erdhën javën e shkuar edhe nga presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker. Juncker konfirmoi se edhe në takimet që ai kishte pasur me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence, është folur edhe për Ballkanin. Në atë takim Jean Claude Juncker ka thënë për vendet e Ballkanit Perëndimor se nuk është mirë që “disa persona në administratën amerikane”, siç është shprehur ai, lënë përshtypje se janë kundër Bashkimit Evropian. E ndër këta “disa persona” është hiç më pak se vetë presidenti amerikan, Trump, i cili vazhdon t’i quaj’ “vendime të zgjuara” votimin e britanikëve për t’u larguar nga BE-ja dhe se pret që edhe popujt e tjerë të ndjekin këtë shembull. Një thirrje e tillë has në përkrahje nga partitë e ekstremit të djathtë në Evropë, parti të cilat janë edhe kundër Ballkanit dhe kundër zgjerimit.

“I shpjegova nënkryetarit amerikan, Mike Pence, se është lajm i keq për Ballkanin Perëndimor që disa në administratën e re amerikane lënë përshtypjen se duan ta dobësojnë Bashkimin Evropian. Ky është një lajm i keq për Ballkanin Perëndimor, sepse ato vende, përpos Kroacisë, e cila tashmë është vend anëtar i BE-së, presin perspektiven evropiane”, ka thënë presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.

Ai ka shtuar se “ato vende nuk mund të bëhen anëtare para vitit 2019, por do të mund të bashkohen më vonë. Por, nëse dikush në Washington flet se BE-ja nuk është asgjë, se edhe vendet e tjera duhet të ndjekin shembullin e Brexitit, një gjë e tillë është lajm i keq për miqtë në Ballkanin Perëndimor, të cilit, për shkak të arsyeve evidente, i duhet perspektiva evropiane dhe besojnë në të”, ka thënë Juncker.

BE dhe NATO ende nuk janë krejtësisht të sigurt se sa dhe si mund të llogarisin në angazhimin amerikan në Ballkan. Tani për tani thotë se janë të kënaqur me porositë që kanë dëgjuar ditëve të fundit nga një varg zyrtarësh të administratës së re amerikane, prej zëvendëspresidentit Pence e deri te sekretari i Mbrojtjes, James Mattis, dhe ai i shtetit, Rex Tilerson. Ata kanë folur për përkushtimin ndaj NATO-s dhe për vazhdimin e bashkëpunimit me BE-në. Por Trump, i cili më parë e kishte quajtur Brukselin edhe “vrimë e ferrit”, vazhdon kritikat e tij ndaj BE-së dhe stimulimin e vendeve të tjera që të ndjekin shembullin e Britanisë së Madhe për të dalë nga Bashkimi Evropian. Ambasadori gjerman, Ishinger, që është edhe kryesues i Konferencës së sigurisë në Munih, kishte thënë se “vazhdimi i shprehjes së qëndrimeve të tilla është një lloj shpalljeje lufte pa mjete ushtarake”. Prandaj në BE presin që me kalimin e kohës të bëhet më e qartë se në çfarë raportesh me Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të llogarisin në të ardhmen. Përsërisin se, pos zonave të tjera të botës, llogarisin edhe në bashkëpunim euro-amerikan në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në këtë situatë është e qartë se nuk mund të parashihet as niveli i mbështetjes që diplomatët amerikanë në rajon do t’i japin përpjekjeve vendeve të Ballkanit për integrime në BE. Porositë se SHBA-ja mbështet “rrugën e integrimeve evropiane” për ndonjë vend të Ballkanit tash tingëllojnë ironike kur në Shtëpi të Bardhë është një president i cili hapur flet për shpërbërjen e BE-së.

Ballkani përsëri po bëhet një test për BE-në dhe këto ditë do të shohim një riangazhim të ri. Sa do të japë rezultate një angazhim i tillë është vështirë për të thënë, por nuk duhet pasur pritje të mëdha sepse BE-ja ende ka një problem që është më i madh sesa Trump apo Brexiti, e ai është pamundësia e arritjes së unitetit. Qëndrimi ndaj Kosovës është një dëshmi për këtë, sepse as për një çështje evropiane, siç është statusi i Kosovës BE-ja, nuk ka arritur të ketë një qëndrim unik.