Për disa çokollata, spinera dhe bonbone të paketuara në pako, në formë përshëndetjeje nga të afërmit në kurbet, Familja Tairi nga Struga, ka marrë faturë për doganë në vlerë prej 2.700 denarëve. Ata thonë se ka qenë një befasi e keqe, për shkak se vlera e pakos nuk ka qenë më e lartë se dhjetë euro.

“Me të vërtetë jam befasuar keq. E pamë që pakoja ka arritur më 18 dhjetor. Por askush nuk na tregoj se ka ardhur. Pas një kohe të caktuar, motra ime nga Austria e kërkoi në sistemin e ndjekjes dhe e pamë se ka arritur në Shkup. Por nuk e kanë sjellë sepse nuk kanë pasur adresë. Na faturuan doganë edhe për kohën që pakoja ka qëndruar aty”, tha Hanis Tairi.

Nga Drejtoria e Doganave në Shkup, konfirmojnë se marrin shumë ankesa nga klientët, por se nuk kanë detaje konkrete për këtë rast.

“Vlera doganore e mallit është vlera për të cilën paguhet dogana. Vlera doganore si bazë e përfshin vlerën e faturës, shpenzimet për transport, shpenzimet për sigurim. Ajo që është e rëndësishme të dihet është se shpesh herë ndodh që vlera e doganës, përkatësisht baza për dogana dallohet nga vlera e faturuar, për shkak se në të janë kyçur edhe shpenzimet për transport ose sigurim”, nga Drejtoria e Doganave.

Sipas Çmimores për shërbime të posaçme, plotësuese dhe shërbime të tjera lidhur me pakot postare në trafikun ndërkombëtar postar, paguhet 18 denarë për qëndrimin e pakos në doganë për një ditë.

Sipas rregullores, pakot e dërguara nga persona fizik apo juridik nga vendet e huaja deri te personat fizik në Maqedoni, të cilat nuk e tejkalojnë vlerën prej 45 eurove, janë të liruar nga dogana përveç se në rastet kur bëhet fjalë për alkool, parfum apo produkte duhani. Kjo gjë i kufizon qytetarët e Maqedonisë që të mos marrin dhurata të shtrenjta ose të blejnë produkte për vete nëpërmjet internetit, praktikë kjo shumë e shpeshtë në botë.

https://youtu.be/0XanGpJh6Nw