Opozita shqiptare është kundër kufizimit të shtesave për fëmijën e tretë vetëm për familjet me status të rënduar social. Aleanca për Shqiptarët vlerëson se Qeveria po frikohet nga nataliteti i shqiptarëve dhe për këtë qëllim po i vendos kushte shtesës për fëmijën e tretë.

Par disa viteve, Qeveria e kaluar solli një ligj i cili stimuloi disa komuna në Maqedoninë lindore përmes shtesës për fëmijën e tretë. Ky ligj ishte kundër kushtetues dhe si i tillë u rrëzua në Gjykatën Kushtetuese. Logjika e njëjte vazhdon edhe tani duke pas parasysh se kjo i prek kryesisht familjet shqiptare. Ne jemi kundër këtij propozimi dhe këtu tendenca është që familjeve me nevojë ti merren mjetet dhe të destinohen në paketa tjera sociale- deklaroi Syrija Rashidi, Deputeti i ASH-së.

Sipas Lëvizjes Besa, fakti që Qeveria rrit rrogën minimale, përmes kufizimit shkon drejtë anulimit të shtesës për fëmijën e tretë.

Kemi një shoqëri e cila ballafaqohet me largimin e të rinjve dhe zvogëlimin e numrit të popullsisë në vend, ndërsa Qeveria me propozimin e saj është restriktive në drejtim të shtesave fëmijërore edhe lindjen e fëmijëve të tretë. Në esencë njeriu është mbi gjitha në shoqëri dhe ne gjitha investimet dhe fokusin të shoqërisë dhe shtetit duhet ta fokusojmë aty- tha Fadil Zendeli, Deputet i Lëvizjes Besa.

Partitë opozitare shqiptare paralajmërojnë se në fazën e dytë do të ndërhynë me amendamente me qëllim që propozimi i Qeverisë të bie dhe shtesa për fëmijën e tretë të mbetet në fuqi komfor ligjit aktual për mbrojtjen e sociale. Ekspertët gjithashtu ndajnë mendimin e njëjtë. Akademiku Izet Zeqiri e ka cilësuar si frikë të Qeverisë nga nataliteti i shqiptarëve anulimin e shtesës për fëmijën e tretë. Në statistikat që Zeqiri ka zbardhur, rezulton që në vitin 2017, lindet e foshnjave maqedonase të arrijnë rreth 11, 300 ndërsa të shqiptarëve mbi 7, 400. Sipas propozim-ligjit për mbrojtje e fëmijëve, shtesa për fëmijën e tretë parashikohet vetëm për familjet me status të rënduar social, duke përfshi edhe prindërit të cilët marrin rrogë minimale. Kjo masë do të hy në fuqi nga viti 2020, ndërsa deri në fund të vitit 2019, shtesat për fëmijën e tretë familjet i marrin referuar ligjit aktual./Alsat/