Ferhan Hasani është rikthyer te Shkëndija për të ndihmuar skuadrën e tij të zemrës në stinorin pranveror, ku me shumë gjasa deri në fund bashkë me FC Shkupin do të diskutojë çështjen e kampionit.

Burime të afërta me “infOSport.mk” bëjnë me dije se Ferhan Hasani është pajtuar me drejtuesit e Shkëndijës për një rikthim në familjen e madhe “kuqezi”, e cila pritet që sërish të frymojë si më parë, kur pikërisht në diktatin e Bubës, kjo skuadër regjistronte sukseset më të mëdha në historikun e saj.

Ferhan Hasani është një fëmijë i Shkëndijës, i cili ishte pjesë e asaj gjenerate të artë të “kuqezinjëve”, kur në vitin 2011-të ngritën lartë trofeun e parë të titullit kampion. Ai me Shkëndijën u shpall edhe njëherë tjetër kampion, në sezonin 2017/2018, derisa paraprakisht në sezonin 2015/2016 kishte fituar edhe trofeun e Kupës.

Po të dy titujt (kampionatin dhe Kupën) në vitin 2020 i kishte fituar edhe me Helsinkin në Finlandë, ndërsa gabimi i tij jetësor ndodhi janarin e vitit që lamë pas, kur pranoi të nënshkruajë me Partizanin, e që realisht ndodhi të jetë aventura e tij më e keqe në karrierë. Buba te skuadra e kuqe nga kryeqendra shqiptare nuk mundi të gjejë dot veten, teksa prishi kontratën gjatë verës (2021).

Ai këto 6 muajt e fundit ishte pa skuadër, mirëpo i njëjti është përgatitur në mënyrë individuale, ndërsa poashtu do të kap gjithë fazën e përgatitjeve me Shkëndijën, skuadër kjo që prej dje edhe zyrtarisht nis misionin e pranverës.

Ferhan Hasani me Shkëndijën numëron gjithsej 120 ndeshje, 63 gola dhe 53 asistime. Kur jemi tek golat vlen të theksohet se Buba në sezonin 2017/2018 me 22 gola të shënuar ishte shpallur edhe si golashënuesi më i mirë në Ligën e Parë, aty ku pritet që sërish të bëjë ligjin dhe të ndihmojë Shkëndijën në arritjen e objektivave.

Kujtojmë Shkëndija dje prezantoi mbrojtësin e krahut të majtë, Mihail Manevski, ndërsa shumë pranë nënshkrimit me “kuqezinjtë” është edhe mbrojtësi ingerian Stiven Eze, si dhe dy sulmuesit Pa Omar Xhobe dhe Ronald Sobovale.