Shpallja e pakos të pestë të masave qeveritare për të zbutur pasojat e pandemisë, për një pjesë të biznesit është mirëpritur, mirëpo pjesa tjetër ka mbetur e pakënaqur. Nga Shoqata e organizimit të eventeve (hotelierët) theksojnë se puna e tyre ka qenë e ndaluar ndër të parat në vitin e kaluar, dhe kanë pasur vështirësi të mëdha me mungesën e parave të gatshme për një vit, ndërsa shtojnë se edhe ndihma e shtetit ka qenë e përcaktuar në kushte të padefinuara. Kjo shoqatë vlerëson se ju mungojnë informacionet se si Qeveria vendos për financimin e ndonjë ngjarje, cilat ngjarje paraqesin interes kombëtar shtetëror dhe a ka të holla për të gjithë apo do të ketë përzgjedhje selektive. Hotelierët thonë se pjesa dërmuese e tyre do të vendosin për subvencione për paga, për shkak se nëse përcaktohen për kredi pa kamatë – do të duhet të lëshojnë punëtorët nga puna. Transportuesit ndërkohë shprehen të kënaqur se më në fund – kompetentët janë kujtuar edhe për ta, por druajnë se ndihma shtetërore do të zgjidhë problemet e tyre.

Nga ana tjetër, të pakënaqur janë shprehur edhe muzikantët, gastronomët, ondulistët… që të premten kanë paralajmëruar se do të protestojnë për disa orë duke bllokuar hyrjen në Shkup nga Kumanova. Ata kërkojnë anulimin e nenit 14 të dispozitës prej 23 qershorit 2021 që ndalon organizimin e çfarëdo ahengu si dasmat dhe të ngjashme në pjesët e mbyllura dhe të hapura të objekteve hotelerike. Nga Oda Turistike-Hotelerike kërkojnë që shteti të përgatisë Protokoll përkatës me qëllim që të fillojnë me punë, duke shtuar se nuk ju mjaftojnë ndihma shtetërore për pagat dhe grantet. Sipas hotelierit Perica Golomeiq, veprimtaria e tyre nuk është e përfaqësuar mjaftueshëm as në pakon e pestë të ndihmave ekonomike qeveritare. “Nuk mundemi të vazhdojmë me këtë intensitet të punës për shkak se ne i paguajmë obligimet tona dhe apelojmë ndaj Qeverisë që të vazhdojmë me punë për shkak se nga 26 korriku i vitit të kaluar – kemi ndalesë të punës tonë primare. Njëherësh kërkojmë edhe ndihmë financiare nga shteti”, thotë Golomeiq.

Nga ana tjetër, edhe nga Federata e Fermerëve thonë se shteti në masat antiktizë nuk është kujdesur mjaftueshëm për bujqit. “Maqedoninë dëshirojnë ta prezantojmë si shtet bujqësor, mirëpo analiza e masave qeveritare për t’u ballafaquar me pandeminë tregon se ky dikaster nuk ka qenë dhe nuk është në agjendën qeveritare, ndërsa kriza nuk është shfrytëzuar që të përforcohet roli i tyre. Për shembull, në tërësi kanë munguar masat për bujqit individual që dominojnë në shtet”, thotë Marija Risteski, drejtoreshë e Qendrës për hulumtimin dhe sajimin e politikave , dhe autore e analizës së përgatitur së bashku me Federatën e Fermerëve të Maqedonisë. Analiza e fundit ka treguar se anulimi i plasmanit dhe grumbullimit të kontraktuar, ulja e vëllimit të punës, qasja e vështirësuar deri tek lëndët e para dhe shtrenjtimi i tyre kanë qenë vetëm disa nga pasojat e pandemisë ndaj bujqësisë.

Në ndërkohë, ekonomistët thonë se realizimi i shpejtë, si dhe miratimi i legjislacionit të nevojshëm për shfrytëzimin e pakos së fundit të vlefshme 160 milion euro duhet të jenë prioritet i kompetentëve. Ndryshe, me pakon e fundit të prezantuar të martën parashikohet mbështetje financiare e pagave për punëtorët në vlerë prej 1 miliardë e 920 milionë denarë për muajt shkurt dhe mars 2021 që do të përfshijë 60.000 punëtorë në muaj. Ose kredi pa kamatë për turizmin, zejtarinë, hotelerinë, transportin, industrinë e organizimin të eventeve… me vlerë prej 615 milionë denarë. Do të mbështeten edhe 120 radio dhe televizione me 50 milionë denarë, ndërsa televizionet do të lirohen nga kompensimi për frekuencat dhe lejet e transmetimit për sivjet. Do të mbështeten financiarisht edhe zejtarët e rinj në vitin 2021, ndërsa zejtarët do të mund të kenë uljen për gjysmë të avancit të tatimit në paga sivjet në raport me një vit më parë. Do të shtyhet edhe pagesa e tatimit të të ardhurave personale nga 30 qershor 2021 që ka koston e 15 milionë denarëve dhe shtyhet në fakt për ushtruesit e pavarur të veprimtarisë nga 31 marsi në mesin e qershorit.

Përkrahje financiare do të fitojnë edhe 1000 punëtorë të kompanive transportuese dhe do të ofrohen 40 milionë denarë për 200 kompani të transportit të udhëtarëve me ulje të ardhurave. Njëherësh, shteti do të garantojë kreditë në vlerë prej 30 milionë euro, do të vazhdojë grejs periudhën për pagesën e borxheve për bizneset që përdorin kreditë e pandemisë deri në fund të këtij viti. Organizatorët e eventeve do të përkrahen me 61 milionë denarë, ndërsa hotelet jashtë qendrave turistike, do të përkrahen me afër 65 milionë denarë. Përkrahje parashikohet edhe për kompanitë eksportuese me 615 milionë denarë, ndërsa sporti do të mbështet me afër 185 milionë denarë. Anulohet edhe pagesa e doganave në vlerë prej afër 437 milionë denarë për bizneset e orientuara në eksport, ndërsa deri në fund ë vitit ulen doganat në vlerë prej 229 milionë denarë për importin e lëndëve të para dhe mishit. Parashikohen edhe masa të tjera si falja e kamatave për borxhet e qytetarëve ndaj ndërmarrjeve publike, përkrahja për prodhuesit e duhanit etj. (koha.mk)