“E drejta e shtetësisë dhe pashtetësia në Republikën e Maqedonisë së Veriut” është tema e debatit të sotëm të organizuar nga Instituti për Politika Publike “Arbën Xhaferi” në Shkup. Bashkim Bakiu, Mersiha Smailovic, Rubin Zemon dhe Lirim Dullovi janë panelistët e debatit.

Bashkim Bakiu nga platforma “shtetësia.mk” elaboroi fillimisht problemin me të cilin ballafaqohen qindra qytetarë në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, në platformën që ai e drejton, rreth 95 përqind e qytetarëve të paraqitur dhe regjistruar janë shqiptarë, ndërsa ka edhe egjiptianë dhe boshnjakë, përcjell in7.

Mersiha Smailovic, aktiviste për të drejtat e njeriut nga komuniteti boshnjak theksoi se problemi me shtetësinë apo mungesën e shtetësisë tangon edhe një numër të konsiderueshëm të qytetarëve boshnjakë. Sipas saj, ka mjaft boshnjakë që nuk kanë as numra amze, as shtetësi të asnjë shteti edhe pse jetojnë me dekada në këtë vend.

Rubin Zemon, ish deputet dhe aktivist për të drejtat e komunitetit egjiptian në Maqedoninë e Veriut, gjithashtu bëri të ditur se mes shumë problemeve tjera, komuniteti egjiptian në vend, përballet edhe me pashtetësinë.

Lirim Dullovi nga Gazeta Koha është i prekur edhe personalisht me problemin e pashtetësisë. Vëllai i tij është pa shtetësi dhe është refuzuar disa herë nga institucionet e shtetit, pa argumente konkrete./in7.tv/