Nëpër shkollat e vendit filloi regjistrimi i filloristëve, nën masa rigoroze higjienike dhe me orare të caktuara paraprakisht kryesisht online, që të evitohen grumbullimet. Alsat vizitoi disa shkolla, drejtorët e të cilëve thonë se përgatitjet i kishin filluar dy javë më parë dhe shtojnë se edhe prindërit i respektojnë masat për mbrojtje.

I jemi përmbajtur rregullave, ashtu që terminët që i kemi me nxënësit të jenë në interval prej gjysmë ore; mos të vijë dikush tjetër pos prindit dhe fëmijës në shkollë, shkollën e përgatitëm, dezinfektimin e shkollës e bëmë, hapësirën ku realizohet intervista dhe biseda me nxënësin është siç është paraparë, ka distancë ndërmjet komisioneve, më tepër se 10-15 minuta nuk i mbajmë prindërit në shkollë – deklaroi Luljeta Shabani Qerimi, Drejtore në Sh.F. “Hasan Prishtina”, Shkup.

Kemi përgatitur një sërë udhërrëfyesish se si duhet të bëhet regjistrimi, dezinfektimi i duarve, të gjitha me një fjalë masat mbrojtëse si nga ana e prindërve poashtu edhe nga ana e nxënësve, duke filluar prej tek hyrja e shkollës kemi vendosur mjete dezinfektuese deri tek pjesa e brendshme, lokali ku mbahet intervista – u shpreh Rexhep Halili, Drejtor në SH.F. “Istigball”, Tetovë.

Pandemia e prolongoi për një muaj, por nuk e zbehu rëndësinë që ka regjistrimi në shkollë për fëmijët dhe prindërit e tyre.

“Për shkak të pandemisë duhet pak të jemi edhe ne të kujdesshëm, normal edhe fëmijët duhet pak t’i adoptojmë”, u shpreh një nxënës.