Gjykimi për “Talir” është anuluar për më 19 mars

Gjykimi për lëndën “Talir”, që ka të bëjë me financimin e paligjshëm të partisë VMRO-DPMNE, anulohet për më 19 mars.

Në seancën e sotme nuk ishte i pranishëm përfaqësuesi i personit juridik të akuzuar Naum Stoillkovski, për të cilin gjykata informoi se është thirrur në mënyrë të drejtë.

“Gjykata ka konstatuar se për shkak të mungesës së një përfaqësuesi të partisë politike VMRO-DPMNE debati kryesor është anuluar më shumë herë dhe prandaj i bën vërejtje. Gjykata e detyron përfaqësuesin t’i kompensojë shpenzimet për këtë debat kryesor”, deklaroi gjykatësi Osman Shabani.

Rastin e udhëheqë gjykatësi Osman Shabani, ndërsa përfaqësues i aktakuzës është prokurorja Lençe Ristevska.

Seanca e parë për rastin “Talir” u mbajt më 18 shkurt 2019. Në këtë rast të akuzuar janë Nikolla Gruevski, i cili gjykohet në mungesë, Kirill Bozhinovski dhe Mile Janakieski të cilët ngarkohen për “keqpërdorimin e pozitës zyrtare dhe autorizimit” dhe “larje parash”. Çingarovska e pranoi fajin dhe ra dakord me prokurorinë, për çka mori dënim me kusht prej dy vitesh.

Për veprën e njëjtë, si subjekt juridik me aktakuzën është përfshirë edhe partia politike VMRO-DPMNE.