Forum për rregullativën nga sfera e planifikimit hapësinor, tokën ndërtimore dhe procedurat për ndërtim, organizon sot Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore me mbështetje të USAID-it dhe Epi Qendrës.

Në forum do të bëhet fjalë për bazat juridike mbi të cilat mund të ngriten procedura në pajtim me Ligjin për tokën ndërtimore dhe për përcaktimin e çmimit të tokës ndërtimore (në cilat raste ka çmim të autorizuar dhe nëse kjo është e arsyeshme), ndërkaq do të analizohen edhe problemet me të drejtat e regjistruara shfrytëzuese të personave fizik dhe juridik dhe të subjekteve të cilët nuk ekzistojnë, si dhe mënyrat e shlyerjes së të drejtave shfrytëzuese sipas Ligjit për privatizim dhe qira të tokës ndërtimore në pronësi shtetërore.

Janë paraparë fjalime të ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski, kryetarit të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha dhe drejtorit në Sektorin për zhvillim të përgjithshëm në USAID Maqedoni, Eduard Gonzales.