Aleanca për Shqiptarët i ka dërguar një letër zyrtare ministres së Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska me kërkesë për tërheqje urgjente nga përdorimi dhe ndryshim të librit të Gjeografisë për vitet e dyta të gjimnazeve të reformuara, i cili përmban elemente ofenduese dhe ksenofobe ndaj historisë dhe kulturës së shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

“Po ju shkruajmë këtë letër për t’ju kërkuar tërheqjen urgjente nga përdorimi të librit “Gjeografia e Republikës së Maqedonisë për vitin II të gjimnazit të reformuar”, bazuar në Ligjin për Librat Shkollorë për Arsim Fillor dhe të Mesëm, gjegjësisht neni 26, pika 2 e cila thotë: “Libri shkollor tërhiqet nga përdorimi edhe nëse përmban materie me të cilën ofendohen historia, kultura dhe vlerat tjera të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, popullit maqedonas, si dhe qytetarëve të cilët jetojnë në kufijtë e saj që janë pjesë e popullit shqiptar, popullit turk, popullit vlleh, popullit serb, popullit rom, popullit boshnjak e të tjerë”, thuhet në letrën e Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët

“Përveç se janë ofenduese ndaj historisë, kulturës dhe vlerave tjera të shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë, konsiderojmë që këto elemente janë edhe ksenofobe dhe i kontribuojnë stigmatizimit dhe inkurajimit të gjuhës së urrejtjes ndaj shqiptarëve. Andaj, Ministria juaj duhet të distancohet nga këto materie dhe ky libër të tërhiqet një ditë e më pare”,thuhet në letrën e ASH-së.