Këshilli Qendror i LSDM-së, në mbledhjen e mbrëmshme shkarkoi Këshillin Ekzekutiv të partisë, sekretarin e përgjithshëm bashkë me atë organizativ dhe konstatoi dorëheqjet e gjashtë nënkryetarëve. Alsat mëson se propozim i kreut të partisë Zoran Zaev për t’u shkarkuar kanë qenë nënkryetarët Petre Shilegov dhe Damjan Mançevski por disa ditë para mbledhjes të gjithë nënkryetarët, përfshi edhe Frosina Remenskin, Oliver Spaovskin, Muhamed Zeqirin dhe Bllagoj Boçvarski kanë dhënë dorëheqje. Kjo sipas burimeve të Alsat është bërë për t’ia lehtësuar punën kreut të partisë që të vendos themelet e reja në organet e partisë. Nga pozita e Sekretarit të përgjithshëm është shkarkuar Aleksander Kiracovski ndërsa në vendin e tij është emëruar Lupço Nikollovski, i cili deri tani ishte ministër i Bujqësisë. Nikollovski nuk do ta ushtroj më pozitën e ministrit. Nga pozita e Sekretarit organizativ është shkarkuar edhe Mile Zeqeviç bashkë me sekretarin për marrëdhënie ndërkombëtare, Dane Taleski. Zaev në deklaratën për media pas takimi theksoi se trupat partiak dhe emrat e rij do të mësohen të paktën pas tre javëve.

Për momentin LSDM-ja drejtohet nga Këshilli Qendror, kryetari, zëvendëskryetari, sekretari i përgjithshëm i sapo zgjedhur dhe rinia e LSDM-së. Javëve në vijim vazhdojnë konsultimet për emërimin e organeve dhe trupave të reja të partisë- deklaroi Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.

Statuti i LSDM-së i jep të drejtën ekskluzive kreut të partisë që të propozojë nënkryetarët, ndërsa Këshilli Qendror t’i votojë.

Është vendim i kryetarit të partisë i cili i propozon funksionarët partiak. Kjo ka pak rëndësi. Rëndësi më të madhe ka fakti që neve të gjithë u pajtuam se gjërat duhet t’i ndryshojmë, përmirësojmë dhe forcojmë strukturat partiake. Këtë që bëmë ne nuk e bën çdo parti e cila është ne Qeveri dhe që i ka fituar zgjedhjet- pohoi Oliver Spasovski, LSDM.

Nënkryetarët të cilëve iu konstatua dorëheqja përmes qëndrimeve në rrjetet sociale kanë falënderuar subjektin për besimin e dhënë, duke mbështetur idenë e përgjegjësisë dhe ristrukturimit të partisë. Në vijim është edhe zgjedhja e kryetarëve të degëve, të cilët Zaev i shkarkoi për një ditë javën e kaluar. Shkarkime të reja pritet të ketë edhe në nivel komunal. Kjo sipas të parit të LSDM-së do të ndodhë pas emërimit të organeve të reja të partisë. Sekretari i përgjithshëm, Lupço Nikollovski paralajmëroi edhe shqyrtimin e punës së kryetarëve të komunave dhe programit të tyre në përputhje me pritjet dhe premtimet e partisë.