Ministria e Mbrojtjes e Federatës Ruse njoftoi se është fundosur kryqëzori rus “Moska”.

Bëhet fjalë për kryqëzorin e flotës ruse në Detin e Zi, për të cilin forcat ukrainase më parë thanë se e kishin goditur me një raketë “Neptun”.

“Kryqëzori humbi ekuilibrin gjatë lëvizjes në drejtim të portit të caktuar, si pasojë e dëmtimit të trupit nga shpërthimi i municioneve gjatë zjarrit që kishte rënë në anije. Anija u fundos në një det të trazuar nga stuhia”, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Ekuipazhi i kryqëzorit u evakuua në anijet e tjera të Flotës së Detit të Zi me mision në rajon.

Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi më herët se nga zjarri në anije kishte shpërthyer municioni dhe se pas një kohe të caktuar zjarri ishte vënë nën kontroll dhe shpërthimet e municioneve ishin ndalur.

Në vijim të deklaratës thuhej se anija ishte në gjendje lundruese; kishin nisur hetimet për shkakun e zjarrit dhe se kishte nisur puna për tërheqjen e kryqëzorit në port.

Autoritetet ukrainase kishin njoftuar se më 13 prill kishin goditur kryqëzorin rus “Moska” në Detin e Zi me një raketë “Neptun” dhe se në anije kishte rënë zjarr. Supozohet se në ekuipazhin e anijes ishin rreth 510 marinarë.

Mediat ukrainase raportuan se kryqëzori “Moska”, i cili sulmoi ushtarët ukrainas në Ishullin e Gjarpërinjve në ditët e para të luftës ruso-ukrainase, që filloi më 24 shkurt, kishte penguar anijet ukrainase të dilnin nga bazat gjatë aneksimit të paligjshëm të Krimesë në vitin 2014.

Kryqëzori “Moska”, një nga anijet kryesore të marinës ruse e furnizuar me raketa, u vendos në përdorim në vitin 1979 dhe u rinovua më 2020.

Njihet si një anije e pajisur me 16 raketa antianije me rreze veprimi prej 700 kilometrash, si dhe me sistemin raketor kundërajror S-300.

Në vitin 2015 kjo anije udhëhoqi njësinë e përhershme operative të marinës ruse në Mesdhe dhe shërbeu për të mbrojtur bazën ajrore ushtarake ruse Hmeimim në Siri.