Opozita shqiptare vlerëson se emërimi i deputetit Vesel Memedi për nënkryetarët e Kuvendit është shpërblim nga qeveria aktuale për rolin e tij destruktiv për pengimin e bashkimit të opozitës shqiptare në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2016.

Kryetari i sapo zgjedhur i Lëvizjes BESA, Afrim Gashi, në një intervistë për Almakos, thotë se për pamundësimin e bashkimit të opozitës, kanë pasur faj të gjithë nga pak, sepse nuk e kanë detektuar në kohë elementin negativ në mënyrë që të njëjtin ta anashkalonin.

“ Kryetari i vulave të ndarë të RDK-së, luajti një rol shumë negativ. Arsyeja pse edhe krahu tjetër vendosi të ndahet prej RDK-së atëherë, ishte se ai insistonte të mos ketë bashkëpunim me BESËN, por vetëm me LR-PDSH-në dhe prandaj tani zgjidhet nënkryetar i Kuvendit”- thotë kryetari I Lëvizjes BESA, Afrim Gashi.

I pyetur për qëndrimin e tij rreth këtyre akuzave të opozitës, deputeti Vesel Memedi, tha për Almakos, se nuk dëshiron të komentojë dhe se zgjedhja e tij është në përputhje me rregulloren e Kuvendit.

“Nuk dëshiroj të komentoj për pyetje të tillë. Rreth zgjedhjes time për këtë post mund të informoheni më mirë nga shërbimet në Kuvend”, tha Memedi.

Dje Kuvendi me vtën e deputeteve të partive në pushtet LSDM dhe BDI zgjodhi si nënkryetarë të Kuvendit të Maqedonisë deputetët Goran Mickovski, Frosina Tashevska Remendki dhe Vesel Memedi. Përzgjedhja e nënkryetarëve kaloi pa diskutim. Votimi i deputetëve për nënkryetar të Kuvendit ishte individuale ndërsa ato u zgjodhën me 61 vota “për” dhe një votë të përmbajtur. nuk pati asnjë votë kundër./almakos