72 për qind e gjykatësve të anketuar nga OSBE-ja thanë se nuk besojnë se Këshilli Gjyqësor e bën punën siç duhet dhe mbron pavarësinë e tyre. Kreu i Këshillit Gjyqësor, Sashko Georgiev pranon se këto të dhëna janë alarmante, por nuk e sheh të nevojshme reflektimin. Ai madje thelbin e problemit e kërkoi kudo përpos tek vetja dhe te institucioni me të cilin udhëheq. Georgiev u bëri thirrje gjykatësve të jenë më të “guximshëm” dhe të mos shprehen vetëm në mënyrë anonime.

“Në këtë rast vendoset në pikëpyetje vetë integriteti i gjykatësve, në një situatë ku ata denoncojnë anomali në anketa anonime, ndërsa nga ana tjetër të mos i procedojnë këto anomali, në një far forme tregojnë se nuk kanë mjaftueshëm guxim. Absolutisht i inkurajoj dhe i nxisë, personalisht tek unë, apo institucione tjera si prokuroria dhe cilado institucion tjetër kompetent, lirisht le të denoncojnë,”tha Sashko Georgiev, kryetar i Këshillit Gjyqësor.

Por përkundër kësaj, praktika tregon që edhe kur ka denoncime, ky trup nuk bën mjaftueshëm për t’i procesuar. Për shembull, kanë kaluar gjashtë muaj nga kur Këshilli Gjyqësor konstatoi se gjykatësi Enver Bexheti, kishte mbajtur në sirtar lëndën kundër Sasho Mijalkovit, “Target-Fortesa” me çka edhe u mundësua vjetërsimi i saj, por deri sot, asnjë masë s’është ndërmarrë kundër këtij gjykatësi.

“Janë formuar komisione, në këto komisione po punohet dhe tani shihni, mbase duhet ta pyesni kryetarin e Komisionit se deri ku është. Kryetar i këtij komisioni është sigurisht kolegu Hanif Zendeli, në të njëjtin komision, mund të ju them se ka situatë ku një anëtarë i komisionit kërkon të largohet,”deklaroi Sashko Georgiev, kryetar i Këshillit Gjyqësor.

Përderisa gjykatësi Bexheti për 9 muaj mbajti në ‘sirtar’ lëndën për Mijllakovin dhe u mundësua vjetërsimi, tash dukshëm Këshilli Gjyqësor po mban në ‘sirtar’ për gjashtë muaj të plota raportin me anë të së cilit duhet të ndërmerren masa kundër Bexhetit. Në vend që të kërkohet llogari nga kreu i këtij Komisioni se pse nuk po procesohet kjo, Hanif Zendeli pak ditë më herët u zgjodh zëvendës kryetar i Këshillit Gjyqësor, kreu Sashko Georgiev madje tha fjalët më të mira për të, gjithashtu edhe pjesa më e madhe e anëtarëve të Këshillit Gjyqësor. ALSAT mëson se ky komision përbëhet nga kryetari i saj Hanif Zendeli dhe dy anëtarë të tjerë, në mesin e të cilëve është edhe ish-kryetarja e Këshillit Gjyqësor, Vesna Dameva, por e njëjta ka kërkuar të largohet nga komisioni. Rezultatet e hulumtimit të realizuar nga OSBE-ja me gjykatës treguan se përpos që gjykatësit nuk i besojnë Këshillit Gjyqësor, 73 për qind e tyre kanë deklaruar se zgjedhja dhe avancimi i gjykatësve nuk bëhet në mënyrë të duhur. /alsat.mk