Lidhur me zjarrin e shkaktuar dje në ndërtesën e Sekretariatit për Mjedis Jetësor, nga partia e Ljupço Georgievskit thonë se blerja e kësaj ndërtese Qeverisë së atëhershme i ka kushtuar jo më pak se 24 milion euro, dhe e njejta është bërë në katër sy dhe jo sipas procedurave ligjore.

Nga kjo parti thonë se ishin të vetmit që patën reaguar atëkohë kur ishte kryer shitblerja e këtij objekti.

“Rikujtojmë opinionin se blerja e ndërtesës së vjetër të Bankës Komerciale nga ana e Qeverisë së Maqedonisë, ishte bërë në mënyrë krejtësisht jo transparente, pa asnjë procedurë ligjore dhe me siguri në katër sy mes kryeministrit të atëhershëm Nikolla Gruevski, dhe drejtorit të Bankës Komerciale, z.Hari Kostov.

Rikujtojmë se blerja e këtij objekti atëkohë kushtoi 24 milion euro, plus disa miliona për renovim me çka arriti ndoshta dhe çmimin më të lartë ndonjëherë për një metër katror hapësirë afariste. Atëkohë ndoshta ishim partia e vetme politike e cila reagoi në këtë marrëveshje të dyshimtë për shitblerje, ndërsa tani po konfirmohet fakti se Qeveria e atëhershme ka gjuajtur dhe ka shkatërruar para nga buxheti për të blerë një objekt të vjetër me vlerë joracionale tregtare i cili për pak do të përfundonte me pasoja të padëshiruara me jetën e të punësuarve”, thonë nga VMRO PP.