Kryeministri Zoran Zaev sot do të jetë në gjykatën penale për rastin “Mitmarrje”, ku ai është i akuzuari kryesor.
Kryeministri Zaev është i akuzuar se si kryetar i komunës së Strumicës ka kërkuar mito prej 160 mijë euro nga një biznesmen vendas Ivan Nikolov Saçevaliev për legalizimin e një toke ndërtimore. Në këtë seancë pritet të lëshohet video materiali i xhiruar ku është biseda mes Zaevit dhe biznesmenit në zyrat e komunës.

Po ashtu edhe biznesmeni Saçevaliev pritet të jap deklaratën e tij lidhur me rastin. Zaev ka theksuar se nuk ndjehet fajtor për këtë rast dhe se bëhet fjalë për rast të konstruktuar me qëllim të dëmtimit të tij si lider opozite në kohën kur VMRO-DPMNE ishte në pushtet.

Gjykata ka vendosur që video materiali i njohur si bomba kundër Zaevit të përdoret si dëshmi, dhe se këtë e ka kërkuar edhe vetë Zaev.