Mëngjesi i sotëm gjeti disa burra në varrezat e fshatit Gllumovë. Ata sipas një burimi të Televizionit SHENJA nga ky fshat, pas namazit të sabahut i dorëzuan tokës trupin e pajetë të vrasësit Shaban Sulejmani, për të cilin nuk pati ceremoni fetare varrimi. Sipas të njëjtit burim, vendimi për të mos organizuar ceremoni fetare është marrë nga shumica e banorëve të këtij fshati, dhe për këtë janë pajtuar edhe drejtuesit fetar të rrethinës.

Ky vendim ka ardhur pas revoltës së banorëve për ngjarjen tragjike që ndodhi dy ditë më parë, pikërisht në ditën e parë të festës së Fitër Bajramit, kur Shaban Sulejmani vrau vëllaun e tij, dy djem të vëllezërve dhe në fund veten.

Viktimat e Shaban Sulejmanit, në prezencë të farefisit, fqinjëve dhe bashkëfshatarëve, si dhe me ceremoni fetare, janë vorrosur dje në varrezat e fshatit Gllumovë.

Dy ditë më parë, në ditën e Fitër Bajramit, Shaban Sulejmani ka vrarë  dy nipërit e tij në lagjen Gjorçe Petrov 2, dhe menjherë pas kësaj është nisur për në fshatin Gllumovë. I ndjekur nga njësiti Alfa, Sulejmani ka arritur në fshatin e tij ku edhe ka takuar vëllaun e tij, të cilin po ashtu e ka vrarë. Për t’i dhënë fund kësaj tragjedie, ai i mori jetën edhe vetes. Kësaj tragjedie i ka paraprirë një mosmarrëveshje familjare./SHENJA/