Deputeti Artan Grubi u ka dalë në mbrojtje ish kryeministrit Nikolla Gruevski dhe kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti, lidhur me dyshimet e Prokurorisë Speciale ndaj tyre. Sipas Grubit, nuk ka asgjë antiligjore në regjistrimin e ndërprerë të vitit 2011, siç ka shprehur dyshime PSP-ja.
“Regjistrimi i popullsisë nuk ka dështuar, por në mënyrë ligjore është ndaluar”, deklaroi, Artan Grubi në konferencë për shtyp, në lidhje me hetimin e Prokurorisë Speciale kundër kryetarit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe kryetarit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski, për regjistrimin e parealizuar në vitin 2011, njofton Portalb.mk.

“Në vitin 2011 unë isha anëtar i Komisionit Shtetëror për Regjistrim dhe dëshmitarë në të gjithë atë që ka ndodhur atje dhe ka pasur implementim jo-profesional të metodologjisë për regjistrimin e popullsisë, veçmas nga Enti Shtetëror për Statistika, por edhe Komisionit Regjistrues në terren edhe në nivel qendror. Regjistrimi nuk ka dështuar, por është ndaluar me vendim të Kuvendit dhe me vullnet të deputetëve të zgjedhur nga populli. Me propozim të Qeverisë, deputetët votuan ligj për ndalimin e regjistrimin, ai është procesi, ashtu ndodhi, ajo ishte bërë përpara tërë opinionit në vitin 2011”, deklaroi Grubi.