Ish kryeministri Nikolla Gruevski vazhdon të ankohet nga gjykata, të cilën e quan “politike”.

“Ndjej sikur LSDM më padit, LSDM më gjykon”, tha Grevski pas seancës së sotme për rastin Tank, në të cilin dyshohet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare për blerjen e një makine të blinduar në kohën e qeverisë së tij.

„ E qartë është se gjykatësit sikur se veç kanë vendimin e sjellë në kokë. Praktikisht shpejtojnë t‘i kryejnë seancat dhe ta shpallin vendimin. Ndoshta përpiqen të përfitojnë simpatitë e dikujt, me dënimin e oponentëve te tyre politik“, akuzoi Gruevski.

Ai tha se gjykatat kanë standarde të dyfishta lidhur me gjykimin e tij dhe të kryeministrit Zaev.

“Zaevit po ia caktojnë gjykimet një herë në dy muaj, kurse unë duhet të vij çdo ditë në seanca”, u ankua Gruevski.

Ai e komentoi edhe vendimin e qeverisë që Mercedesi të shitet nëpërmjet ankandit. Gjatë gjykimit Gruevski i ndërhynte gjykatëses Kacarska në fjalë duke e akuzuar se eshte e politizuar, ndërsa ajo ia tërhoqi vërejtjen se do ta ndëshkojë për këtë sjellje.

“E paralajmëroj të akuzuarin se nëse vazhdon ta ofendojë gjykatën, do të marr masa në pajtueshmëri me Ligjin për procedurë penale”, i tha Kacarska Gruevskit.

Avokat i Gruevskit dhe i Jankullovskës kërkuan shtyerjen e gjykimit për arsye të ndryshme, por Kacarska nuk e lejoi.

“Nuk i kemi mundësitë e barabarta me prokurorinë. Atyre u jepni fjalën e mua jo. Tani edhe më shumë jam i bindur se nuk jemi të barabartë”, ankohej Gruevski.

Në fjalën hyrëse prokurori Stefço Donev akuzoi Gruevskin për keqpërdorimin e mijëra eurove të buxhetit të Ministrisë së Brendshme për të shuar apetitet e tij si kryeministër për t’u vozitur me makinë luksoze.

“Në vitin 2012, Gruevski ka shfrytëzuar pozitën e tij dhe i ka kërkuar Gordana Jankullovskës të blejë makinë Mercedes të klasit S, të blinduar, në emër të Ministrisë, pasi nuk ka dashur të kuptohet në opinion se ai vozit makinë të tillë luksoze. Jankullovska pastaj ka urdhëruar Gjoko Popovskin që të shpallë tenderin dhe ai e ka favorizuar një kompani. Të akuzuarit e kanë ditur se ajo makinë është shumë e shtrenjtë për buxhetin edhe ashtu të limituar të Ministrisë së Brendshme dhe këtë do ta dëshmojmë edhe nëpërmjet audio incizimeve”, tha Prokurori Stefço Donev.

Avokatët mbrojtës patën rast të kundërpërgjigjen duke vlerësuar se gjykata i ve në pozitë të pabarabartë më prokurorin.