Shkruan Valbona Elezi

A vërtetë besuat që Gruevski do të shkojë në burg, deri sa partneri i tij është në qeveri?
Çfarë kënaqësie, çfarë ekzaltimi pse Gruevskit iu dhanë dy vite burg. Kush nuk ju njeh shtrenjtë u paguan. Mendon se vërtetë gëzoheni që u dënua Gruevski. Jo që nuk e dini. E dini shumë mirë se Gruevski ka të drejtën për ankesë në Gjykatën e Apelit. E dini se Gjykata e Apelit do ta lirojë Gruevskin. (Nëse jo Gjykata e Apelit, atëherë do e amnistojë Ivanovi që tani u bë president konsensual edhe për partinë tuaj). E dini mirë, ashtu siç e keni ditur se Gruevski është liruar nga të gjitha dënimet, ditën kur e keni dhënë votën tuaj për partnerin e tij 10 vjeçar. Prandaj mendimi im është se Gruevski do të shkojë në burg vetëm kur partneri i tij, BDI-ja, do të mbetet me dy deputetë. Deri sa ky subjekt të ketë tre e më tepër deputetë, do të ketë edhe kapacitet për ta mbrojtur Gruevskin nga burgu. Sepse edhe ju e dini shumë mirë se strofulla e gruevizmit nuk është më në selinë e VMRO-së, por te selia që gjendet afër laboratorit më të madh të drogës që u zbulua në Ballkan.