LSDM-ja erdhi në pushtet pa ndihmë të qytetarëve, me ndihmë të jashtme, ndërsa tani po vijnë zgjedhjet lokale dhe pengesë të vetme e kanë VMRO-DPMNE-në, të cilën duan ta dobësojnë pasi kjo është mënyra e vetme të fitojnë në zgjedhje, deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në TV Nova.

Sipas tij, PSP-ja ka plan të ngrejë disa akuza, me qëllim që të krijojë imazh se ka luftuar kundër krimit.

Duke folur për rastet në të cilat akuzohet, Gruevski tha se të gjitha janë pa bazë.

Në lidhje me rrënimin e objektit “Kosmos” të Fijat Canoskit, Gruevski tha se ai dhe ish-ministri i transportit dhe lidhjes, Mile Janakieski, nuk kanë pasur ingerenca të urdhërojnë rrënimin e objektit, por ajo është bërë nga pushteti lokal pasi investitorët nuk i kanë respektuar ligjet.

Ai demantoi se ka syze të shtrenjta, por ato kontraverzet me të cilat është fotografuar (për të cilat më vonë u akuzuar se kushtojnë 60 mijë euro), sipas Gruevskit kushtojnë mes 300 dhe 350 euro.

Gruevski nuk u përgjigj nëse do të largohet nga pozita e kryetarit të partisë, por paralajmëroi se VMRO-DPMNE-ja së shpejti do të kthehet në pushtet.