Shoqata bamirëse “Jetimat e Ballkanit”, e cila që nga viti 2009 me selinë e saj në Prizren është aktive në çështjet humanitare brenda Kosovës, por edhe jashtë saj në trojet shqiptare, për festën e 28 Nëntorit dhe ditëlindjen e komandantit legjendar, Adem Jashari, do të dhurojë 28 shtëpi për familjet në nevojë.

Themeluesi i kësaj shoqate, Halil Kastrati, në një bisedë për Anadolu Agency (AA) bën të ditur se aktiviteti i shoqatës për dhurimin e shtëpive dhe banesave ka filluar tashmë gati tre vite dhe për këtë periudhë kalon shifrat mbi 200 familje të strehuara, të gjitha me iniciativë të shoqatës.

Siç njofton ai, 28 shtëpitë për festën e nëntorit do të ndahen për familjet në nevojë në qytetin e Prizrenit, ndërsa ceremonia e ndarjes do të mbahet në Shtëpinë e Kulturës së këtij qyteti.

“Këto 28 shtëpi janë në bashkëpunim me kuvendin komunal të Prizrenit dhe të Dragashit. Ne kemi inicuar një lloj bashkëpunimi me të gjitha komunat, siç është rasti i këtyre 28 shtëpive“, shprehet Kastrati.

Më tej, ai thekson se aktualisht me iniciativë të shoqatës “Jetimat e Ballkanit” çdo të premte dhurohet nga një banesë, ndërsa çdo të martë ose të mërkurë nga një shtëpi për familjet në nevojë.

“Ky është kapaciteti i ‘Jetimave të Ballkanit’. Mendoj se ku jetojmë, si jetojmë dhe standardi i jetesës këtu, kjo është jashtëzakonisht e madhe. Ne këtë standard nuk e kemi ndalë dhe nuk planifikojmë ta ndalim. Pra, një shtëpi dhe një banesë në javë”, shpjegon Kastrati.

Kastrati thekson se më herët kishin planifikuar që në secilin qytet të ngrenë ndërtesë për t’i bërë me strehë familjet në nevojë, por më pas kanë vendosur se në atë mënyrë ato familje skamnorësh nuk do të mund të integrohen në shoqëri. Për këtë arsye, thotë ai, kanë vendosur që skamnorin ta strehojnë në një vend të përzier ku ai do ta ketë mundësinë më lehtë të integrohet.

“Jetimat e Ballkanit” në vitin 2009 nisi aktivitetet e saj vetëm me një kuzhinë humanitare, ndërsa sot përfshirë kuzhinën ndan për çdo ditë edhe pako ushqimore brenda dhe jashtë vendit, paga prej 30 eurosh për fëmijët jetimë, si dhe shtëpi dhe banesa për t’i strehuar familjet në nevojë.

Kastrati thekson se mjetet financiare të shoqatës vijnë nga trojet shqiptare të Ballkanit dhe nga diaspora, ndërsa në to janë të përfshirë individë, njerëz të estradës, biznese e politikanë, shumica e të cilëve nga Kosova, por edhe nga shqiptarë jashtë Kosovës të shprehin gatishmërinë e tyre për të zgjatur dorën e ndihmës për skamnorët.