Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinaj, në një intervistë për gazetën “Blic” ka folur rreth masave të reja të ndërmarra nga qeveria e Kosovës.

Haradinaj, ka thënë se orari i punës së kafeneve dhe restoranteve do të duhej të zgjatej deri në orën 23:00.

Ai vlerëson se duhet të ketë kujdes dhe respektim të masave, por assesi nuk duhet të ngulfatet ekonomia dhe se jeta e qytetarëve të ndalohet.

Kreu i AAK-së shtoi se duhet të gjendet mënyra e mbajtjes së dasmave dhe ahengjeve familjare.

“Unë jam që të zgjatet orari për kafiteritë dhe të gjendet mënyra e mbajtjes së dasmave dhe ahengjeve të tjera familjare. Nëse restoranti punon deri në orën 21:00 në mbrëmje atëherë nuk e di se si mund të shpëtohen njerëzit duke i mbyllur 2 orë më herët, pra unë them që të shërbejnë deri në orën 23:00 të natës, pra jam që t’i zgjatet orari, të vazhdojë jeta, mirëpo jam që të jenë sa më të kujdesshëm për jetën. Për shembull te dasmat ose ahengjet familjare, aty për shembull përgjegjësi i sallës të jetë përgjegjës për zbatimin e rregullave”.