Në tre javët e fundit është rritur ndjeshëm numri i të infektuarve me Covid-19. Kjo ka bërë që të rritet edhe numri i pacientëve në trajtim spitalor. Siç bëjnë të ditur autoritetet shëndetësore, aktualisht numri i rasteve aktive arrin në rreth 13 mijë persona, ndërsa në trajtim spitalor ndodhen 1193 pacientë. Zëvendësministri i shëndetësisë, Ilir Hasani, thotë se ende nuk dihet se cila do të jetë pika më e lartë e valës së tretë.

“Mendoj që janë shumë relevante, përqindja e pacientëve nga të gjithë tamponat e marra rezulton pozitiv. 30% prej tyre rezultojnë pozitiv nga 4 mijë tampona të marra. Ndërsa në valën e dytë ka qenë 42% nga nëntori. Këto argumente flasin se ne jemi në ngjitje në përpjetëzën, respektivisht në keqësimin e situatës, si dhe parametrat tjerë janë që ne na bëjnë të kujdesshëm edhe numrat e shtretërve të cilët janë të lirë nëpër spitale të Maqedonisë, e sidomos në qytetin e Shkupit, sepse Shkupi rezulton me numër të madh të pacientëve të hospitalizuar, sepse absorbon një numër të madh të pacientëve të cilët janë me forma më të vështira. Dje ka qenë 50, ndërsa sot 20 i shtretërve të lira dhe këto janë faktorët që ne japim konkluzione se situata është duke u keqësuar, se ne jemi në një ngritje të numrit të të infektuarve.”,- tha zëvendësministri i shëndetësisë, Ilir Hasani.

Hasani: Nuk kemi pasur sukses me furnizimin e vaksinave

Shpresa për t’i dhënë fund epidemisë është te imunizimi i popullsisë, por zëvendësministri Hasani thotë se problem më i madh në botë është sigurimi i vaksinave, prandaj nuk dëshiron të prognozojë me data se kur do të nis vaksinimi i popullsisë.

“Vaksinimi masovikisht fillon kur vijnë vaksinat, masovikisht vërtet nuk dua që të jemi pjesë e numrave dhe datave, po e shohim se në Ministrinë e Shëndetësisë numrat dhe datat nuk po na funksionojnë. Për çështjen e vaksinave është i autorizuar ministri Filipçe, i cili direkt është i kyçur me furnizimin e vaksinave dhe ai është i brengosur ka komunikime të shumta dhe deri tani nuk kemi pasur sukses që t’i shohim vaksinat në një numër më të madh, që të mund të bëjmë imunizimin kolektiv. Problem më i madh në globin tokësor është sigurimi i vaksinave, por në të njëjtën kohë edhe makrobiznesi më i madh për momentin është kompanitë farmaceutike që prodhojnë vaksina.”,- theksoi zëvendësministri i shëndetësisë, Ilir Hasani.

Sa u përket masave kufizuese, Hasani thotë se ato u morën për të penguar përhapjen e virusit Korona, ndërsa ora policore nga ora 22 deri në 5 të mëngjesit është një termin që dëmton më së paku funksionimin normal të shoqërisë./Tvm2