Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “helikopterët e famshëm Black Hawk hyjnë në flotën e ushtrisë shqiptare”.

Rama ndau sot foto nga nënshkrimi i kontratës së pranimit për pajisjen e Forcës Ajrore shqiptare me helikopterë “Black Hawk” mes ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Yuri Kim.

Helikopterët, asistencë e qeverisë së SHBA pritet të mbërrijnë së shpejti në Shqipëri dhe rrisin kapacitetet e Forcave të Armatosura shqiptare.

Projekti për pajisjen e Forcës Ajrore me helikopterë amerikanë të tipit “Black Hawk” mori rrugë një vit më parë gjatë vizitës që ministrja Xhaçka zhvilloi në Gardën Kombëtare të New Jersey.

Përgjatë një viti ka patur disa trajnime të pilotëve shqiptarë pranë kësaj garde dhe të specialistëve amerikanë pranë Forcës Ajrore për zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive për përdorimin e mjeteve të reja, që do të jetë pjesë e flotës ajrore shqiptare.