Kandidati i VLEN-it për kryetar të Bërvenicës, Jakup Huseini, ka marrë zotim nga zëvendësministrja e Transportit dhe Lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, për mbështetjen e projekteve infrastrukturore në këtë komunë, me theks të veçantë zgjerimin e rrugës Stençe-Gurguricë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Huseini i ka paraqitur zëvendësministres nevojat e banorëve të Gurguricës dhe zotimet që u ka dhënë atyre gjatë fushatës zgjedhore.
“Ministre, ne jemi në fushatë dhe ngutemi pak. Unë u kam dhënë disa premtime atje poshtë dhe pa juve nuk mund t’i realizoj. Shumë e rëndësishme është rruga Stençe-Gurguricë dhe disa projekte të tjera. Ju lutem që t’i shqyrtoni dhe t’i keni parasysh”, ka deklaruar Huseini.
Nga ana e saj, Zekolli Shaqiri ka siguruar se mbështetja për Bërvenicën do të vazhdojë edhe në projektet e ardhshme, duke përmendur 14 projekte të mbështetura deri më tash.

