Që nga shtimi i masave të reciprocitetit deri më sot në vendin tonë nga Serbia kanë hyrë 16 kamionë më dokumentet “Republika e Kosovës”.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

“Deri më tani kanë hyrë 16 kamionë nga Serbia në Kosovë me dokumentet ‘Republika e Kosovës’. Nuk ka kamionë të kthyer mbrapshtë, pasi të gjithë kanë qenë të rregullt me dokumente”, tha Stavileci.

Kurse të hënën, në pikat kufitare të Jarnijes dhe Merdarës, janë ndaluar 12 kamionë me mallra nga Serbia.

Qeveria në detyrë e Kosovës, më 30 maj mori vendim të ri për reciprocitetin tregtar me Serbinë.

Në vendim u tha se asnjë mall nuk do të lejohet të hyjë nga Serbia në Kosovë, nëse në dokumentacion nuk e ka të shkruar vendin e destinimit “Republika e Kosovës”.