Në çdo cikël zgjedhor ka pasur denoncime për blerje të votës së qytetarit nga ana e partive politike. Kjo praktikë nuk ka të ndalur dhe se denoncimet janë përfshirë edhe në raportet e monitorimit të organizatave vendore dhe ndërkombëtare.

Sekserë të partive politike flasin për agjencinë e lajmeve INA se si arrijnë të blejnë votën e qytetarëve, kur nisin operacionet dhe rastet delikate.
Për këtë flet edhe një prej tyre që dëshiron të mbetet anonim, por që tani nuk është përfshirë në asnjë parti.
“Janë të njohura rastet e varfra që janë target grup për ti marrë votën. Një ditë para zgjedhjeve, në orët e mbrëmjes shkohet në shtëpinë e tyre, apo ftohet një anëtar i asaj familje, duke i ofruar çmimin për votë. S’kërkojnë shumë dhe thonë sa të jepni. Dhe normalisht ajo që i jepet është prej 10 euro për votë deri në 2 mijë denarë. Ata kënaqen me aq. Pastaj disa kërkojnë që tua shlyejmë borxhet nëpër dyqane, EVN apo edhe borxhe tjera që nuk janë shuma të mëdha”, thotë për INA, sekseri i dikurshëm i blerjes së votave.
Kjo sipas tij, ka ndodhur edhe para luftës së 2001 dhe se në të shumtën e rasteve, ofertat e blerjes së votës apo shlyerjes së borxheve janë bërë nga partitë maqedonase.
Por, ka edhe raste tjera, kur jepen nga 2 deri 5 mijë euro për persona apo grup që kalojnë nga një parti në parti tjetër. Atyre nuk u thuhet menjëherë të bëjnë transferimin, ose fare nuk i thuhet, por i jepen detyra që të punojë për të bindur opinionin brenda lagjes apo familjes për të dhënë votën.
Shitja e votës në disa raste ka dal edhe në shpallje, tek disa faqe, ku një votë është ofruar për 50 deri 100 euro, edhe ate për 20 anëtarë të familjes.
Bashkëbiseduesi ynë thotë se kjo praktikë nuk ndalet dhe shumë praktikohet tek lagjet rome, ku ata masivisht japin vota për shuma të caktuara parash.
Sipas tij, në këto zgjedhje lokale, pazari do të rritet në raundin e dytë, ku një vote shkon deri në 50 euro.
Komisioni Antikorrupsion dhe institucionet e tjera asnjëherë nuk kanë zbuluar raste të tilla që shkelin ligjin dhe që kanë të bëjnë me krim zgjedhor. (INA)