Ushtari sirian Yazan Soltani, në mënyrë të befasishme është zhdukur pasi kishte publikuar disa video ku i shpreh haptazi dashurinë vajzës së presidentit sirian Bashar al-Assad, duke ia bërë me dije se dëshiron të martohet me të.

Ushtari i armatës së Assadit kishte injoruar paralajmërimin e miqve për pasojat që mund t’i ketë me publikimin e videove, me të cilat i propozon 16-vjeçare Zein Assad, transmeton Telegrafi.

“Të dua, vërtetë të dua. Qmendem pas teje. Je e imja dhe unë jam i yti. Bëhu e imja”, dëgjohet në video duke thënë ushtari sirian.

Në një video tjetër shfaqet i veshur me uniformë ushtarake të kamufluar, duke u zotuar se do të bëjë gjithçka që të martohet me të.

Siç raportojnë mediat siriane, Soltani është zhdukur nga java e kaluar, kurse motra e tij ka bërë të ditur se ai fillimisht ishte arrestuar dhe prej atëherë nuk di asgjë për fatin e tij.