Shkruan Hamzi Ibraimi

Pas 15 viteve në Maqedoninë e Veriut doli një frymë e re politike, të cilën disa intelektualë e veprimtarë e filluan si lëvizje me emrin Besa. Themeluesit e kësaj lëvizje ishin prof. Zeqirija Ibrahimi, Afrim Gashi, aktivisti që tërë jetën e tij ia kushtoi rinisë dhe sektorit civil, Skender Rexhep-Zejdi, e të tjerë. Kjo lëvizje çdo ditë e më shumë rritej derisa u shndërrua në parti (Lëvizja Besa), në të cilën për kryetar u zgjodh prof. Bilall Kasamin.

Si organizatë politike, Besa arriti ta rrezikojë që partinë më të fuqishme deri atëherë, BDI, e cila për 15 vite nuk kishte humbur asnjë palë zgjedhje. Por, kësaj radhe ishte Lëvizja Besa e cila arriti që këtë parti ta dobësojë e ta dërrmojë. Lëvizja Besa mori një hov shumë të madh tek shqiptarët, ashtu që në zgjedhjet parlamentare fitoi 5 mandate, duke u bërë kështu ferrë në sy për Bashkimin Demokratik për Integrim, që nuk i shkonte si armiq partitë maqedonase VMRO dhe LSDM, por pikërisht këtë lëvizje. Prandaj BDI-ja filloi me shpifje nga më të ndryshmet për këtë parti, por as ato këto shpifje nuk arritën ta dobësojnë atë, andaj ajo i fitoi bindshëm 5 mandate. Lëvizja Besa, e cila ishte këmbëngulëse që pa marrëveshje mos të hyjë në qeveri, vendosi që të jetë një opozitë dhe të mbetet zëri i qytetarëve. Por, pas zgjedhjeve lokale, disa qarqe të caktuara e filluan përçarjen në këtë parti, e cila u nda në dy grupacione. Ndërsa në kongresin e partisë kjo parti doli me dy kryetarë, të cilët për disa muaj me radhë bënë betejë në gjykatë, por në fund vulat i mori Bilall Kasami, kjo falë gjykatës së kontrolluar nga BDI.

Të gjithë ju do pyesni përse fillimin e fillova kështu.

Sepse përçarësit kryesorë ishin po këta që i fituan vulat falë pushtetit të kaluar. Megjithatë, ata nuk ishin ideatorët kryesorë të kësaj lëvizje. Ata mbetën të njohur si vjedhësit e ëndrrës së shqiptarëve dhe vetëm i shkaktuan nënçmim emrit të kësaj Lëvizje. Këta përçarës, duke shfrytëzuar gjithçka, arritën që ta kenë partinë në duart e tyre, por harruan një gjë se partia pa ide dhe pa njerëz është letër dhe vulë. Asgjë tjetër.

Prandaj ideatorët e kësaj Lëvizje, në anën tjetër, nuk ndaluan, ngase njeriut mund t’ia marrësh projektin, por idenë asnjëherë. Personat e lartpërmendur, si Zeqirija Ibrahimi, Afrim Gashi dhe Skender Rexhepi-Zejdi, e vazhduan rrugën me moton “Ideja Vazhdon”, duke e themeluar partinë e re, të quajtur Alternativa. Me këtë dëshmuan se idealistët, edhe pse sulmohen nga të gjithë, madje edhe kur priten në Besë nga ata që i kanë konsideruar bashkudhëtarë, ata nuk ndalojnë, por çdoherë kanë zgjidhje se si do jenë afër dhe në shërbim të shqiptarëve.

Alternativa është një subjekt që është pjesë e qeverisë. Por, nëse ndalemi dhe shohim se cilat janë meritat e kësaj partie, do të shohim se me marrjen e Ministrisë e Kulturës nga Alternativa, ka ndryshuar mënyra e udhëheqjes së këtij institucioni. Në këtë ministri së pari ishte në detyrë Asaf Ademi, i cili me politikëbërjen e tij në vendin tonë për herë të parë ofroi një leksion të shkëlqyeshëm. Ai ishte i vetmi ministër që nuk harxhoi asnjë denar nga arka e shteti, ashtu siç kanë bërë dhe bëjnë ministrat tjerë, të cilët vetëm për darka e dreka harxhojnë miliona. Por, nuk mjafton vetëm me kaq. Me ardhjen e Asaf Ademit në krye të Ministrisë së Kulturës, shqiptarët më nuk ishin të diskriminuar si në kohën kur kjo ministri udhëhiqej nga ana e VMRO-së, e cila ishte në pushtet me BDI-në. Kështu, me marrjen e kësaj ministrie nga ana e Alternativës të gjithë artistët dhe dashamirët e artit e morën hisen e tyre që u takon.

Kjo parti dëshmoi se vetëm kështu mund të arrihet sukses dhe të jemi të barabartë me të gjithë. Alternativa i promovon vlerat morale, kombëtare dhe ato fetare, të cilët i kanë munguar kësaj shoqërie që t’i shohë tek një parti politike. Me pjesëmarrjen e kësaj partie në pushtet shumë gjëra ndryshuan dhe ajo u bë edhe vula e shumë ndryshimeve në vendin tonë. Madje, në të gjitha dikasteret që udhëhiqen nga kjo parti nuk mund të gjeni njerëz që i kanë keqpërdorur pozitat e tyre, por do të shohim vetëm shembull të mirë se si mund të udhëhiqet shteti pa vjedhur.