Komisioni i shkallës së dytë përgënjeshtroi Sekretarin Shtetërorë të Ministrisë së Kulturës Valmir Azirin, i cili një ditë më parë i tha Televizionit Alsat se projektet për të cilat dyshohet se kanë të bëjnë me nepotizëm dhe konflikt të interesit, po shqyrtohen nga komisioni qeveritarë. Nga Komisioni i shkallës së dytë thonë se nga projektuesit ende nuk ka arritur asnjë ankesë për rishqyrtim të projekteve të dyshimta.

Nga Qeveria bëjnë me dije se projektuesit kanë të drejtë që të kërkojnë rishqyrtim nga Komisioni i shkallës së dytë në afat prej 15 ditësh nga dita e refuzimit apo tërheqjes së projektit.

Kërkesën e Ministrit Robert Allagjozovski për përfshirje të Prokurorisë Publike dhe Komisionit Anti-korrupsion në zbardhjen e plotë të parregullsive eventuale në ndarjen e fondeve, nuk e komentojnë institucionet në fjalë.

Inspektorati i brendshëm i ministrisë tha se nuk është përgjegjës për vendimet e komisioneve të po kësaj ministrie. Nga ana tjetër revizioni i brendshëm i Kulturës heshtë. Ministria e Kulturës gjithashtu nuk jep informata nëse ndonjë organ i brendshëm ka bërë analizë në vendimet e komisioneve për ndarjen e fondeve të projekteve ku dyshohet se ka pasur nepotizëm dhe konflikt të interesit. Të pakapshëm janë edhe anëtarët e komisioneve të brendshme gjegjëse të cilët nuk pranojnë assesi të prononcohen në lidhje me procedurat e kalimit të projekteve. Alsat mëson se kjo heshtje vjen pas vendimit të udhëheqësve të Ministrisë së Kulturës, që asnjë nga anëtarët e komisioneve të mos prononcohet deri në qartësimin e gjërave.

Në lidhje me skandalet e keqpërdorimit të fondeve, nepotizmit dhe konfliktit të interesit gjatë miratimit të projekteve kulturore shqiptare, kanë reaguar edhe partitë politike. Më të zëshmet kundër kësaj dukurie ishin VMRO-DPMNE-ja dhe Aleanca për Shqiptarët. Të dy subjektet kërkonin tërheqje të plotë të programit, të cilin ata e quanin “Skandaloz”.