Institucionet shtetërore dhe ato gjyqësore në Maqedoni, edhe përkundër premtimeve, pretendimeve dhe gatishmërisë së Qeverisë aktuale, që mori epitetin “reformatore”, mbeten edhe më tej të mbyllura jo vetëm për qytetarët, por edhe për përfaqësuesit e mjeteve të informimit, gjë që dëshmon për një shkallë të ulët të demokracisë në këtë vend, vlerëson analisti politik Ismail Arsllani.

Sipas tij, pa reforma të njëmendta ligjore e praktike në këto institucione, pa hapjen e tyre në radhë të parë për qytetarët dhe pa vendosjen e shtetit ligjor, nuk mund të ketë drejtësi, që është një nga parametrat kryesorë të lirisë dhe demokracisë.

“Kjo qeveri, ashtu siç ka marrë për obligim, duhet të jetë e përgjegjshme për dinamikën e reformave të vërteta, në radhë të parë në gjyqësor, që është një nga pikët më neuralgjike të korpusit të detyrimeve sipas dokumentit të Pribesë, ku të gjitha veprimet janë të saktësuara. Sa i përket gjyqësorit, mund të vlerësohet se ende nismat janë fillestare, madje edhe Brukseli në njëfarë dore me diplomaci të butë tregoi shqetësim për një neglizhencë në këtë rrafsh, andaj pritet që pas Vitit të Ri, disa gjëra të ecin me hapa më të shpejtë”, thotë për Zhurnal, Ismail Arsllani, analist politik.

Në këtë aspekt, shton mëtej Arsllani, shqiptarët në Maqedoni nuk duhet të gëzohen fortë për këto reforma, sepse ato do të jenë paksa larg tyre dhe nuk do të mund t’i gëzojnë në atë masë sa edhe bashkësitë e tjera etnike.

“Kjo nga shkaku se e gjithë struktura ekzistuese e gjyqësorit, që ka lëshuar rrënjë të thella, nuk do të mund të ndryshojë dhe mentaliteti i ngulitur për një qasje të veçantë në ndarjen e drejtësisë kur janë në pyetje shqiptarët, mendoj se nuk do të përmirësohet aq shpejtë. Edhe shumë kohë, ata do të pësojnë nga një padrejtësi gati shekullore kur është në pyetje gjyqësori, përderisa nuk bëhen reforma të vërteta dhe nuk ndryshon rrënjësisht mentaliteti i atyre që punojnë në këto institucione”, shtoi Arsllani.

Nga ana tjetër, profesori universitar Sabaudin Zhuta thekson se edhe pse saktësisht sot e para një viti triumfoi opzita e atëhershme LSDM-ja, dhe ku euforia për ndryshime radikale në funksionimin e shtetit ligjor manifestohej hapur, sot, siç po shihen punët në veprim nëpër institucionet e shtetit nuk ndjehen gati fare ndryshimet e pritshme.

“Mungon transparenca, mungojn ndryshimet kadrovike, mungojn reformat e pritura jo vetëm në gjyqësi, shëndetsi, kulturë arsim etj., por mungon dhe çbllokimi i pothuajse i të gjitha allkave të pushtetit. Vonesa e funksionimit të këtyre parametrave, krijon shqetsim tek popullata e dalngadalë mbjell paknaqsitë. Durimi i sterzgjatur lidhur me rikonstituimin e shëndosh të institucioneve ka filluar të shqetson popullaten”, thekson për Zhunral, Sabaudin Zhuta, profesor universitar.

Unë i kuptoj, shprehet profesor Zhuta stërkamzat e instaluara metastazike horizontalisht dhe vertikalisht, të një pushteti të kaluar-totalisht të robëruar, por është koha për veprime më rigoroze e më transparente. Këte kërkon opinioni demoktatik në vënd.